Thaçi: Nuk ka individ apo agjendë ditore që do të sfidojë partneritetin me ShBA-të

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas homazheve tek shtatorja e heroit kombëtar, Zahir Pajaziti është prononcuar për media. Me këtë rast Thaçi është shprehur se takimet e zhvilluara mbrëmë dhe ai sot në mes liderëve të vendit dhe ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, janë të shpeshta. Sipas presidentit Thaçi nuk ka individ apo agjendë ditore që do të sfidojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Takimet e tilla ndodhin shpesh janë takime të rregullta edhe me ambasadorin e SHBA-së edhe me bartësit e institucioneve të vendit dhe liderët politikë me përkushtimin që kemi për një koordinim më të mirë në agjenda që ka para nesh si bartës të institucioneve edhe udhëheqës të Kosovës, natyrisht gjithmonë në koordinim dhe konsultim me SHBA-të dhe mendoj se ishte takim që i ka kontribuar qartësisë së agjendës dhe bashkëpunimit edhe më të fuqishëm me SHBA-të”, ka thënë Thaçi, shkruan Indeksonline. Ai tutje deklaroi se Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet mik i përjetshëm i SHBA-së. “Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet mik i përjetshëm i SHBA-së dhe nuk ka individ apo agjendë ditore që do ta sfidojë këtë partneritet të shtetit të Kosovës me vullnetin e qytetarëve as sot dhe as në të ardhmen në drejtim të Shteteve ë Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Thaçi. Duhet përkujtuar që gjatë ditëve të fundit kishte një ‘qarje’ në mes liderëve të vendit sa i përket vendimit për taksën 100% dhe pas kërkesës së SHBA-së dhe BE-së që ajo të largohet. Haradinaj vazhdon të jetë pro taksës përderisa liderët e tjerë janë të lëkundur në këtë drejtim, duke kërkuar që ajo të largohet dhe të mos prishet raporti Kosovë-SHBA.