The Guardian: Serbia tërheq disa trupa nga kufiri i Kosovës pas paralajmërimit të ShBA-së

Gazeta britanike, The Guardian ka thënë se Serbia ka tërhequr disa nga trupat e saj nga kufiri me Kosovën pas paralajmërimeve të SHBA-së se mund të përballet me masa ndëshkuese për atë që Shtëpia e Bardhë e quajti një grumbullim “të paprecedentë” të trupave dhe armatimit serb.

Në shkrim thuhet se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se ka urdhëruar tërheqjen e trupave.

Në një deklaratë për “Financial Times”, ai tha se çdo veprim ushtarak do të ishte kundërproduktiv, duke u shprehur se: “Serbia nuk do luftë”.

The Guardian raporton se një zyrtar i qeverisë kosovare konfirmoi një tërheqje të pjesshme serbe të shtunën, me largimin e trupave dhe pajisjeve që ishin zhvendosur në pozicionet përreth kufirit në pesë ditët e fundit, duke lënë pas një forcë ende të rëndësishme që është e vendosur në zonë.

Tërheqja pasoi një deklaratë publike shqetësimi nga Shtëpia e Bardhë, një thirrje të ashpër drejtuar Vuçiqit nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken dhe përforcimin e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, me qindra trupa britanike.

Në bisedën e tij me Vuçiqin, Blinken bëri thirrje për “de-përshkallëzimin e menjëhershëm” dhe një kthim në marrëveshjen e tij të mëparshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Sipas Vuçiqit, Blinken tha se mund të ketë masa amerikane kundër Serbisë nëse ai nuk respekton kërkesën, shkruan The Guardian, transmeton Klankosova.tv.

“Thash që jeni një superfuqi dhe mund të bëni ose të thoni çfarë të doni, por unë jam plotësisht kundër kësaj. Mendoj se do të ishte shumë keq”, tha presidenti serb për agjencinë e shtypit Tanjug.

Të shtunën në mbrëmje, ambasadori i Gjermanisë në ShBA, Andreas Michaelis, e përshkroi situatën si “një tjetër fuçi baruti në Evropë” dhe një rrezik që duhet marrë seriozisht.

The Guardian shkruan se Michaelis tha në mediat sociale që kishte pasur “bashkëpunim shumë të ngushtë midis Gjermanisë dhe SHBA-së në ditët dhe orët e fundit”, i cili ishte “absolutisht çelësi për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”.

“Serbia duhet të veprojë tani,” tha Michaelis.