Thirrja e Ibrahimit a.s.

Kur Ibrahimi (a.s) përfundoi ndërtimin e Qabes, Allahu, Më i Larti e urdhëroi atë, të thërriste njerëzit për haxh. Ibrahimi iu lut, “O Allah! Si mundet zëri im të arrijë gjithë këta njerëz?” Allahu më i Larti i tha, se detyra e tij ishte vetëm të bënte thirrjen dhe i përkiste Allahut, që ta bënte thirrjen e tij të arrinte njerëzit.
Atëherë Ibrahimi (a.s) u ngjit në malin e Arafatit dhe bërtiti me gjithë forcën e zërit të tij, “O Njerëz! Me të vërtetë, Allahu ka urdhëruar për ju haxhin, kështu që kryejeni haxhin.

Allahu, më i Larti, shpalli në Kuran: Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta..” (Kuran, 22:28)

Për këtë çdo ditë miliona myslimanë vazhdojnë t’i përgjigjen thirrjes së Profetit Ibrahim (a.s). Amr ibn As (r.a) transmeton, “Kur Islami hyri në zemrën time, shkova tek i Dërguari i Allahut dhe i thashë, “Më jepni dorën tuaj kështu që të zotohem për besnikëri ndaj teje”. Profeti e zgjati dorën e tij, por unë e tërhoqa timen. Ai tha, “Çfarë nuk shkon Amr?” Unë i thashë, “Dua të vendos një kusht”. “Dhe cili është ai?”- tha ai. I thashë, “Që Allahu të më falë mua”. Atëherë i Dërguari i Allahut tha: “A nuk e di, se Islami të fshin gjithë çfarë ke bërë më përpara,  Hixhreti të fshin gjithë çfarë ke bërë më përpara dhe Haxhi të fshin gjithë çfarë ke bërë më përpara”. (Muslim)

Haxhi është shtylla e pestë, mbi të cilin qëndron Islami. Allahu, më i Larti e bëri atë detyrim për çdo mysliman të aftë mashkull apo femër për t’a kryer atë, së paku një herë në jetë. Kryerja e Haxhit pastron gjithë mëkatet. Ebu Hurejra (r.a) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: ‘Kushdo që e kryen haxhin dhe nuk kryen ndonjë Rafath (gjë të turpshme) apo Fusuk (shkelje), ai kthehet (pa mëkate) si ditën që e ka lindur nëna”. (Buhariu)
Haxhi është një prej veprave më të larta që dikush mund të përmbushi gjatës jetës së tij. Ebu Hurejra transmeton, se kur u pyet Profeti (a.s), “Cila është vepra më e mirë?”, ai ka thënë: “Besimi në Allah dhe në të Dërguarin e Tij, pastaj xhihadi për hir të Allahut dhe pastaj Haxhi Mabrur, një haxh i pranuar tek Allahu”.

Haxhi është xhihadi më i madh. Aishja (r.a) e ka pyetur Profetin (a.s): “E shohim se Xhihadi është vepra më e mirë, a nuk duhet që edhe ne gratë të bëjmë xhihad?” Profeti (a.s) i është përgjigjur: “Më shumë se xhihadi më i mirë është një haxh i pranuar”. Aishja më vonë thotë: “Asnjëherë nuk do të rresht së kryeri haxh, pas kësaj që dëgjova nga i Dërguari i Allahut”. (I pranuar)

Duaja e haxhit do të pranohet. Profeti (a.s) ka thënë: “Ushtarët në rrugën e Allahut, dikush që kryen haxhin dhe dikush që kryen umran, të gjithë janë delegim i Allahut. Ai i thërret ata dhe ata i përgjigjen. Ata e kërkojnë Atë dhe Ai do t’u sigurojë atyre (çka ata i kërkuan)”. (Ibn Mexhah dhe Ibn Hiban)

Nuk ka asnjë ditë, që dielli të ketë dalë më i dashur tek Allahu se Ditën e Arafatit. Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka asnjë ditë, në të cilën Allahu liron më shumë prej robërve të Tij nga Zjarri, se në Ditën e Arafatit…” (Muslim)

Përsa i përket virtytit të Haxhit, do të gjeni në shumë hadithe termin Haxh Mabrur. A e dini se çfarë do të thotë Mabrur? Do të thotë një haxh i pranuar. Një haxh Mabrur është ai, në të cilin Allahu nuk është kundërshtuar gjatë apo pas tij. Të tjerë kanë thënë, se një Haxh Mabrur është haxh i pranuar dhe shenjë e pranimit të tij është, se personi do të kthehet në një gjendje më të mirë, se atëherë kur ai erdhi, dhe kur nuk do të vazhdojë të mëkatojë.

Njëherë kam parë një grup haxhinjsh me gjithë sendet e tyre personale. Të ngjitura në bluzat dhe kapelet e tyre shkruhej ‘Haxh Mabrur 1997!’. M’u kujtua pastaj kur Ibn Umeri ishte në shtratin e tij të vdekjes dhe djali i tij i kujtoi atij gjithë veprat e mira, që ai kishte bërë me Profetin (a.s). dhe shokët. Ai i tha atij: “Hesht! A nuk e di se kujt ia pranon Allahu? Në të vërtetë, Allahu pranon vetëm nga ata, që kanë frikë Zotin”.

Me këtë shpirt le të marshojmë drejt kërkimit të Mëshirës së Allahut dhe faljes së Tij, për tek shtëpia e parë e Allahut, në Qabe. Në Haxhin e 1996, ju mund të keni dëgjuar për turmën Xhamarat, në të cilën vdiqën 600 veta. Ishte koha e dhuhrit kur ndodhi dhe unë kisha qenë i ulur atje qysh prej mëngjesit të hershëm, duke pritur mesditën për të hedhur guralecët.

Rreth 30 minuta para dhuhrit, një dallgë njerëzish vërsulen sipër nesh. Më parë i kisha thënë vetes, se nëse do të gjendesha në një situatë emergjencë, do të hipja në një atobuz apo ndonjë gjë më të lartë për t’i shpëtuar turmës. Tani shoh njerëz që po e bëjnë këtë dhe e di, se kjo ishte situata që unë i isha frikësuar. Shoku im më tha, “Çfarë do të bëjmë?” Me vështrimin mbi detin e njerëzve, e dija se nuk kishte asnjë rrugë tjetër ku mund të ecësh në të kundërt të turmës dhe kështu iu përgjigja: “Shkojmë dhe hedhim guralecët tanë”.
Njerëz vdiqën atë ditë. Sirenat e ambulancave gjëmonin dhe helikopterët vetëtinin nga sipër. Në dhimbje dhe rraskapitje, që po humbja shokun tim, qëndroj i përkulur, kurrizi im qëndronte mbi kurrizin e një motre dhe kurrizi saj mbi mua. Ne as që e kuptonim se çfarë ishim duke bërë. E shijova atë çka Profeti (a.s) kishte dashur të thoshte, kur tha se në Ditën e Gjykimit njerëzit do të jenë të zhveshur dhe Aishja (r.a) e pyeti atë: “A nuk do të shohin burrat dhe gratë njeri-tjetrin?” Dhe ai iu përgjigj, “Aishe, çështja është më e vështirë se kaq”.

Në kthim për në Qabe me mundim, gjeta një vend me hije pemësh dhe oborr të shtruar, që të çonte në një vilë. I zoti i shtëpisë, një burrë i vjetër, qëndronte dukë parë sesi ecnin njerëzit dhe unë qëndrova të shihja atë.

Njerëzit do të vinin tek ai dhe do t’i luteshin për një gotë ujë. Ai do të vraponte dhe do t’u sillte atyre ujin më të ftohtë që kishte. Ata do të luteshin për të nga thellësia e zemrës. Unë e dija çfarë duaje ishte, pasi unë po ndieja të njëjtën etje që kishin ata. Sa herë që ai shihte ndonjë të sëmurë, ai do të dilte në rrugë dhe do ta ftonte atë, duke i dhënë atij një shtrat apo ushqim për çlodhje.

Isha i ndrojtur në fillim, por etja më mposhti dhe i kërkova ujë. Kisha qëndruar në oborr për disa kohë dhe kur i kërkova, ai kuptoi se nuk më kishte ofruar asgjë. Ai vrapoi brenda dhe përveç ujit më solli dhe disa kuti me lëng frutash. Ndërsa bëja rrugën për në Qabe, mendova rreth këtij burri. Nëse njeriu do të ishte kaq i mëshirshëm me këta njerëz që kanë ardhur për haxh, këta njerëz që nuk kishin ardhur për asnjë arsye tjetër vetëm se për të thënë ‘La ilahe il Allah’, sa i mëshirshëm do të ishte Allahu më këta haxhinj? Në të vërtetë, Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka shpërblim tjetër për një haxh të pranuar përveç xhenetit”.