Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në Egjipt

Thirrje për bojkotim të zgjedhjeve në Egjipt

Një ish-kandidat presidencial ka apeluar për bojkotim të zgjedhjeve të ardhshme në Egjipt, të planifikuara për në fund të muajit mars, raporton Anadolu Agency (AA).

“Zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të zhvillohen pa garanci, as kandidatë as liri. Ne nuk do të marrim pjesë në këtë farsë”, tha Hamdeen Sabbahi, në një konferencë shtypi në Kajro.

Më tej, ai bëri thirrje te të gjitha forcat kombëtare të Egjiptit që të bashkohen kundër asaj që ai e quajti “tirania brutale e autoritetit”.

Sabbahi, një majtist i shquar, humbi zgjedhjet presidenciale në vitin 2014 kundër presidentit aktual Abdel-Fattah al-Sisi, ish-shef i ushtrisë, i cili kryesoi grusht shtetin ushtarak të vitit 2013 kundër Mohamed Morsit, presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë të lirë në Egjipt dhe një udhëheqës i Vëllazërisë Muslimane.

Vetëm dy kandidatë, përfshirë edhe presidentin al-Sisi, konkurrojnë në zgjedhjet presidenciale, të planifikuara për t’u mbajtur nga 26 deri më 28 mars.

Tre kandidatë të tjerë, majtisti i shquar Khaled Ali, ish-kryeministri Ahmed Shafik dhe politikani veteran Mohamed Anwar Sadat, të gjithë duket se janë tërhequr nga gara, pasi më herët njoftuan qëllimin e tyre për të kandiduar.

Javën e kaluar, komisioni zgjedhor anuloi kandidaturën e gjeneralit Sami Anan, ish-shefit të shtabit të ushtrisë, vetëm disa orë pasi prokurorët ushtarak e thirrën atë për ta marrë në pyetje me pretendimin për “parregullsi”.