TIKA Turke e bën Parkun e Qytetit me lodra edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara

Për herë të parë në parkun e qytetit të Prishtinës do të mund të luajnë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara, pasi që këndi i ri i lodrave i përuruar sot u ofron këtë mundësi.

Këndi i lodrave në parkun e qytetit është rinovuar nën financimin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Për të përuruar këtë kënd ishin edhe ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ambasadorja Kiliç tha se ky park do të jetë simbol i miqësisë Kosovë dhe Turqi.

“Parku është një park shumë i bukur apo këndet e lodrave janë të bukur, por edhe emri i saj është shumë i bukur sepse është quajtur ‘parku i miqësisë Kosovë dhe Turqi’. Mendojmë se ky park do të jetë simbol i miqësisë sonë e cila do ta forcoj edhe më shumë dhe do të kontribuoj edhe më shumë në miqësinë e përhershme ndërmjet dy popujve apo dy vendeve. Ne si Turqi me të gjitha institucionet tona, ashtu si kemi qenë edhe më herët do të vazhdojmë të jemi pranë juve, pranë miqve tanë të Kosovës”, tha ajo.

Ambasadorja e Turqisë tha se shpreson që kjo miqësi dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen në të tilla projekte konkrete.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se për herë të parë ky park do të ketë lodra edhe për fëmijët me aftësi të kufizuar.

Ndërkohë, ai bëri të ditur se TIKA ka financuar edhe projekte të tjera të Komunës së Prishtinës të cilat priten të përfundohen.

E kreu i Prishtinës dhe ambasadorja e Turqisë shfrytëzuar rastin për të luajtur basketboll në fushën e re të basketbollit në këtë kënd të lodrave, ndërsa shpërndan edhe topa për fëmijët pjesëmarrës.