Tmerri ndaj civilëve që u goditën nga YPG/PKK në strehimore

Menjëherë pas çlirimit të fshatit Merjemejn në Afrin në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”, gazetari i Anadolu Agency (AA) ka filmuar momentet kur YPG/PKK ka goditur strehimoren ku ndodheshin civilët.

Ato që u përjetuan menjëherë pas çlirimit të fshatit Merjemejn më 9 mars në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit” të nisur nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) dhe Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS), u reflektuan në kamerën e freelancer-it të AA-së Humammed Haj Mustafa.

Kamera e cila ishte duke regjistruar në rrugën kryesore të fshatit, filmonte fëmijët dhe gratë të cilët po uleshin pranë derës së strehimores së një ndërtese në rrugë.

Në video-xhirimet dëgjohet se me zërin e një fishkëllime vjen një raketë, e cila shpërthen duke goditur. Gazetari i AA-së vrapon në vendin ku ndodhi shpërthimi ndërsa kamera nis të filmojë momentet e bërtimave të civilëve.

Rreth 30 civilë në strehimoren e mbuluar me pluhur si pasojë e shpërthimit, vrapuan andej- këtej pa ditur se çfarë të bëjnë. Nënat përpiqen t’i gjejnë fëmijët e tyre si dhe të kuptojnë se kush është vrarë e kush është plagosur.

Në anën tjetër gazetari i AA-së del jashtë dhe duke i thirrur automjetet në rrugë fillon të evakuojë të plagosurit.

Në pamje shihet vendosja e një vajze të vogël të plagosur në automjet.

Më shumë se 10 të plagosur

Pas sulmit, u identifikua se nuk kishte të vdekur por se më shumë se 10 fëmijë dhe gra, të cilët ndodheshin në strehimore, janë plagosur me predhë.

Mustafa tregon përjetimet e tij duke thënë se “Pas çlirimimt të tij në kuadër të operacionit ‘Dega e Ullirit’, së bashku me ULS-në bëja filmime në fshat. Në kokë e mbaja kamerën ‘Gopro’. Civilët të cilët fshiheshin në shtëpitë e tyre dhe në strehimore pas çlirimit të fshatit nga ULS dhe TSK filluan të dalin jashtë”.

“Njerëzit filluan të dalin jashtë për t’i përmbushur nevojat e tyre. TSK dhe ULS u ndihmonin atyre. Gjatë këtyre momenteve PKK mori në objektiv një strehimore në fshat me sa duket me raketën e tipit Tow”, tha Mustafa.

Sipas tij, raketa drejtpërdrejt mori në objektivë strehimore. “Në strehimore ndodheshin rreth 30 civilë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Një numër i madh i civilëve u plagosën si pasojë e sulmit. Fëmijët u frikësuan shumë. Trupat e ULS-së me mbështetjen e TSK-së dërguan autoambulanca në vendngjarje. Në spital u dhanë shërbimet e nevojshme për trajtimin e të plagosurve. Për fat të mirë askush nuk humbi jetën”, shtoi Mustafa.

Njëra prej atyre që ndodheshin në strehimore dhe që u plagos ishte Ajshe Humsi, e cila në një deklaratë për AA thotë se “Kur përleshjet filluan në fshat, ne së bashku me disa familje zbritëm në strehimore nëntokësore. Edhe pse frikësoheshim nga përleshjet brenda fshatit, askujt nuk i ndodhi asgjë”.

Humsi thotë se sulmit iu nënshtruan 1 orë pas përfundimit të përleshjeve, në momentin kur kanë dalë jashtë për të përshëndetur ULS-në.

“Papritmas një raketë na mori në objektiv. Si pasojë e sulmit një numër i madh i civilëve u plagosën. Edhe unë isha njëra nga të plagosurit. U plagosa në hundë. Më dërguan në një spital në Azez. Për fat të mirë plaga ime nuk ishte serioze dhe tani po shërohem. Gjendja është e qetë, shpresoj se do të vazhdojë kështu”, thotë ajo.

Njëri nga civilët në strehimore, Ali Mujesser thotë se “Ne hymë në strehimore gjatë përleshjeve në fshat. Të gjithë aty ishin civilë. Ishim rreth 30 persona. Në sulm u plagos nëna ime dhe disa fëmijë”.

Në Merjemejn, e cila është objektiv i terroristëve, jetojnë rreth 10 mijë civilë, shumica e të cilëve janë arabë.