Përpjekja e dëshpëruar e ish-kryeministrit britanik për të kriminalizuar kritikat ndaj Izraelit
Tony Blair pretendon se e majta prej nga ku ai ka bërë karrierë, ka krijuar sot një “aleancë të pashenjtë me islamikët”, duke e cilësuar këtë si “mutacionin më të fundit të antisemitizmit”.
Megjithatë, siç vëren The Guardian, kjo deklaratë nuk është gjë tjetër veçse një dredhi e dëshpëruar për të shuar zemërimin ndërkombëtar mbi Gazën. Analisti Owen Jones argumenton se akuzat e jashtëzakonshme kërkojnë prova.
Por ish-kryeministri, ashtu si me luftën e Irakut, “as nuk e ka shqetësuar veten të mbledhë një dosje të dyshimtë” për të mbështetur pretendimet e tij. Thelbi i sulmit të Blair është kundërshtimi i kritikave ndaj Izraelit, të cilat ai i barazon me ekstremizmin.
Por realiteti është ndryshe. Siç raporton The Guardian, sondazhet tregojnë se vetëm dymbëdhjetë përqind e britanikëve mbështesin veprimet e Izraelit, ndërsa shumica kërkon sanksione dhe arrestimin e Netanyahu-t.
Kjo do të thotë se e majta nuk po ndjek një axhendë islamiste, por opinionin publik. Jones thekson: “Edhe nëse nuk do të kishte asnjë mysliman në Britani, e majta do t’i kundërshtonte veprimet e Izraelit po aq me forcë”.
Pra Blair zgjedh shpifjen në vend të fakteve mbi urinë në Gazë. Ai akuzon kritikët se po “zmadhojnë” gjenocidin, duke injoruar akademikët e shquar izraelitë që kanë arritur në të njëjtin përfundim.
Mbi të gjitha mbi të qëndron njolla e zezë e luftës në Irak, një konflikt i paligjshëm që u bë ndihma më e madhe për terrorizmin që Blair thotë se lufton.
Sot, ai po luan një lojë të rrezikshme prapaskenash me Netanyahu-n përmes të ashtuquajturit “Bordi i Paqes” për Gazën, një projekt neokolonial që e sheh territorin e shkatërruar si një shesh lojërash për zhvilluesit e pasurive të paluajtshme.
Edhe pse kandidatura e tij si ndërmjetës u refuzua zyrtarisht nga shumica e vendeve arabe për shkak të historikut të tij të kompromentuar, instituti i tij vazhdon të luajë një rol kyç në prapaskenë.
Jones e përfundon analizën e tij, duke thënë se shpifjet pa bazë janë e vetmja gjë që i ka mbetur Blair-it. Kjo strategji helmuese synon të shpëtojë figurën e Netanyahu-t, por po dështon përballë një opinioni publik që nuk mund të mashtrohet më me “dosje të dyshimta”. /tesheshi








