Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, pas takimit me homologen e tij shqiptare, Albana Koçiu, ka bërë të ditur se po punohet që para sezonës së verës, sistemi “one-stop-shop” të zbatohet në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë, transmeton Anadolu.
Në një konferencë të përbashkët për media me ministren Koçiu, ministri Toshkovski tha se diskutuan disa çështje me rëndësi për të dy të vendet, veçanërisht për përmirësimin e pikave kufitare midis dy vendeve.
“Mendoj se para fillimit të sezonës së verës do të mund, siç e zbatuam sistemin ‘one-stop-shop’ me Kosovën dhe Serbinë, ta zbatojmë edhe me Shqipërinë dhe ta përmbyllim, vendet që nuk janë pjesë e BE-së me një transfer më të shpejtë të qytetarëve që do t’i ulë pritjet në kufijtë tanë”, tha Toshkovski.
Aktualisht, sistemi ‘one-stop-shop’ zbatohet në pikën kufitare “Qafë Thanë”, por ministri Toshkovski tha se ekipet nga të dyja vendet po punojnë intensivisht në të gjitha përgatitjet e nevojshme për ta lëshuar në përdorim sistemin për kontrolle të përbashkëta kufitare në të gjitha pikat kufitare.
– Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy partnerë strategjik
Koçiu, nga ana e saj, njoftoi gjatë vitit të kaluar midis dy vendeve pati 5 milionë kalime dhe 1,8 milion automjete.
Më tej, ajo tha se bashkëpunimi “shumë i mirë” midis qeverive dhe institucioneve të dy vendeve jep një “mesazh të qartë për vullnetin tonë të përbashkët”. Ajo theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy partnerë strategjik, që ndajnë “një hapësirë të përbashkët, të lidhura shumë më shumë në ngjashmëri sesa dallime”.
“Qëllimi ynë i përbashkët është rruga jonë evropiane, rruga e pashmangshme drejt standardizimit dhe procedurave evropiane për t’i bërë dy vendet tona aty ku e kanë vendin në familjen e madhe evropiane”, tha Koçiu.
Ajo gjithashtu njoftoi se me homologun e saj maqedonas diskutuan shndërrimin e pikës së kontaktit një një qendër të vërtetë të bashkëpunimit policor dhe doganor, me qëllim për “të lejuar një koordinimin të vazhdueshëm 24/7 në një kohë reale të forcave tona”.
“Një bashkëpunim i tillë dhe një qendër e tillë e koordinuar do të krijojë mundësi akoma më të mëdha për të shkurtuar më tej burokracitë, kohën e kalimit me radhët në kufi dhe do të nxisë edhe më shumë shkëmbimin mes palëve”, shtoi ajo.
Ministrja Koçiu, e cila kryeson një delegacion të ministrisë shqiptare, qëndron për vizitë njëditore në Maqedoninë e Veriut. Pas takimit me ministrin Toshkovski, ajo po ashtu njoftoi se e ka ftuar homologun e saj maqedonas për vizitë në Tiranë.


