Një aksident me të paktën 35 viktima dhe po aq të lënduar
Një aksident i rëndë rrugor në Siri u ka marrë jetën të paktën 35 personave dhe ka lënë të lënduar 30 të tjerë, pas përplasjes së dy autobuseve.
Tragjedia ndodhi të shtunën në aksin rrugor Deir Az Zor–Damask, një autostradë kyçe me gjatësi prej më shumë se 400 kilometrash, që lidh pjesën lindore të vendit me kryeqytetin.
Përplasja e fuqishme ndodhi në segmentin mes al-Sukhnah dhe Palmirës. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se njëri nga autobusët po transportonte pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Brendshme, ndërsa tjetri kishte brenda civilë.
Sipas ministrisë, në vendngjarje u dërguan me shpejtësi ekipe të shumta të ndihmës së shpejtë. Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve (SANA) bëri me dije se u angazhuan edhe disa helikopterë për të evakuuar me urgjencë të plagosurit drejt Spitalit Ushtarak të Homsit.
Kjo autostradë njihet për standardet e saj mjaft të ulëta të sigurisë, çka pasqyron gjendjen e rënduar të infrastrukturës civile në Siri pas një luftë civile që zgjati thuajse 14 vjet.
Në tetor, Ministri për Menaxhimin e Katastrofave dhe Përgjigjen ndaj Emergjencave, Raed al-Saleh, deklaroi se nga janari deri në fund të shtatorit kishin ndodhur më shumë se 2,000 aksidente rrugore, duke shtuar se ngjarje të tilla janë kthyer në “një nga shkaqet kryesore të humbjes së jetëve në Siri”. /Teshesh







