Trazira në Belgjikë e Holandë pas fitores së Marokut ndaj Belgjikës

Trazirat shpërthyen në disa qytete belge dhe holandeze pas fitores 2-0 të Marokut ndaj Belgjikës në Kupën e Botës të dielën.

Policia arrestoi dhjetra persona pasi përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat në Bruksel dhe disa të tjerë në qytetin verior të Antwerpenit. Dy zyrtarë policie u plagosën në qytetin port holandez të Roterdamit. Nga mbrëmja e së dielës vonë, një qetësi e pakëndshme ishte kthyer në shumicën e qyteteve të përfshira.

Dhjetra protestues përmbysën dhe dogjën makina, u vunë flakën skuterëve elektrikë dhe qëlluan makinat me tulla. Policia hyri pasi një person pësoi lëndime në fytyrë, tha zëdhënësja e policisë së Brukselit, Ilse Van de Keere.

Kryetari i bashkisë së Brukselit, Philippe Close, u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë larg qendrës së qytetit dhe tha se autoritetet po bëjnë çmos për të mbajtur rendin në rrugë. Edhe trafiku i metrosë dhe tramvajit është dashur të ndërpritet me urdhër të policisë.

“Ata nuk janë tifozë, ata janë rebelë. Tifozët marokenë janë atje për të festuar”, tha Close.

Trazira ka pasur edhe në qytetin e Antwerpen dhe Liege.

“Më vjen keq të shoh se si disa individë abuzojnë me një situatë për të bërë trazira”, tha Ministrja e Brendshme Annelies Verlinden.

Policia në Holandën fqinje tha se dhuna shpërtheu në qytetin port të Roterdamit, me policët që u përpoqën të ndalonin një grup prej 500 mbështetësish të futbollit, të cilët sulmuan policinë me fishekzjarre dhe xham. Mediat raportuan trazira në kryeqytetin Amsterdam dhe Hagë.

Fitorja e Marokut ishte një tronditje e madhe në Kupën e Botës dhe u festua me entuziazëm nga tifozët me rrënjë emigrante marokene në shumë qytete belge dhe holandeze. /mesazhi