Tre milionë numra telefoni të shqiptarëve për shitje online

Komisioneri për të Drejtën e Informimit ka reaguar pas publikimit të lajmit nga Top Channel për një tjetër skandal të thyerjes të së drejtës të të dhënave personale, ku numrat e telefonit të tre milionë shqiptarëve janë reklamuar në një faqe në internet për t’u shitur.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale do të ndërmarrë një hetim administrativ duke kërkuar bashkëpunimin e çdo institucioni përgjegjës për qartësimin e rrethanave të çështjes.

AI u bën thirrje të gjitha organeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor që të tregohen të vetëdijshme për detyrimin e respektimit të kësaj të drejte individuale.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ka identifikuar një faqe në internet e cila disponon një database me 3 milion numra celularësh, së bashku me emrat e përdoruesve të këtyre numrave dhe pozicionin e punës të personit që i përket numri telefonit.

Poseduesit e database të këtyre numrave kanë listuar edhe çmimet e shitjes. Mjafton të kesh një kartë banke dhe në pak sekonda bëhesh posedues i tyre.

4.000 dollarë është çmimi për blerjen e 3 milion të dhënave për numrat shqiptarë të telefonisë mobile. 1.500 dollarë nëse do të blesh të dhënat e 1 milion numrave, 1.000 dollarë për 500.000 numra dhe vetën 350 dollarë për 100.000 numra.

Poseduesi 3 milion numrave telefonik të shqiptarëve dhe shitësi i tyre përmes një platforme në internet është një person i cili përdor emrin Munnaf Hossain. Sipas tij lista që ai ka nxjerrë në shitje është e saktë, autentike, e freskuar me informacione korrekte shoqëruar me numrin e telefonit, emrin e personit dhe kodin postar.

Për ta vërtetuar këtë Munnaf Hossain ka publikuar në faqen e tij në internet si shembull një pjesë të kësaj database.

Top Channel verifikoi numrat e kësaj liste. Rezultoi se janë në përdorim e i përkasin personave emri të cilëve shkruhet në të djathtë të kësaj liste.

Mbetet e paqartë se si Munnaf Hossain ka mundur të sigurojë 3 milion numrat e celularëve të shqiptarëve në një kohë kur ligji parashikon në mënyrë strikte se kush duhet t’i disponoj këto numra.

Në listën e publikuar si shembull për blerësit, është edhe emri ekspertit të sigurisë Redion Qirjazi i cili tha për Top Channel se “gjetja e fajtorit mbetet gjithmonë sfida më e madhe në kërcënimet e sigurisë kibernetike”.

Pas sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA, nga ku celula terroriste përdori numra të paregjistruar telefoni, në SHBA dhe EU, në mënyrë drastike legjislacioni pësoi ndryshim për të bllokuar shitjen e numrave pa u regjistruar.

Edhe në Shqipëri ndodhi e njëjta gjë. Të gjithë blerësit e një numri duhet të firmosin një mori me letra e më pas bëhen posedues të numrit.

Por e gjitha kjo zhvlerësohet si në aspektin e privatësisë apo edhe të sigurisë në një kohë kur 3 milion numra celulari shqiptarësh janë nxjerrë në shitje.

Reagimi i plotë i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si autoriteti mbikëqyrës i legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, vlerëson me seriozitet çdo rast të cenimit/shkeljes të kësaj të drejte dhe lirie themelore të njeriut.

Zyra e Komisionerit është vënë në dijeni nga informacionet e publikuara në media, për shitjen në internet të një baze të dhënash në përmbajtje të të cilës ka gjeneralitete, numra telefoni dhe vendin e punës për 3 milionë qytetarë.

Në mbështejte të nenit 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara në ligjin nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, Zyra e Komisionerit do të ndërmarrë një hetim administrativ, si dhe do të kërkojë bashkëpunimin e çdo institucioni përgjegjës për qartësimin e rrethanave të çështjes.

Duke vlerësuar rolin e medias për ekspozimin e fenomeneve negative, Zyra e Komisionerit u bën thirrje të gjitha organeve që ushtrojnë veprimtarinë në këtë sektor (audio/vizive, të shkruara, online) që të tregohen të vetëdijshme për detyrimin e respektimit të kësaj të drejte individuale.

Ushtrimi i të drejtës së lirisë së shprehjes nuk është i pakufizuar dhe në çdo rast, realizohet në mënyrë të balancuar dhe proporcionale me të drejtat dhe liritë e tjera themelore të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, apo në aktet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë (Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa 108 “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale” të Këshillit të Evropës, etj).

“Interesi më i lartë publik” ka përparësi mbi çdo përpjekje për ta kthyer këtë situatë në një lojë shumë të rrezikshme për cenimin e privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve.

Nga ana tjetër, opinioni publik duhet të tregoj kujdes të shtuar dhe të jetë i ndërgjegjësuar për të refuzuar përfshirjen në përdorimin/përhapjen e paligjshme të kësaj baze të dhënash nëpërmjet çdo mjeti e forme të komunikimit masiv.