Tridhjetë këshilla për sukses në jetë sipas Islamit

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Secili prej nesh dëshiron të arrijë sukses, në jetë. Mirëpo disave nuk u shkoi për dore për arsye se mendojnë që suksesi është i pamundur dhe i pa arritur. Problemi qëndron në atë që ne ndoshta kemi anashkaluar shkaqet e suksesit, jemi bërë joaktiv dhe të dobët…
Sukses d.m.th. përpjekje e pandërprerë kah një qëllim më i lartë. Përkryerja i takon vetëm Allahut, xh.sh. Kur që dikush thotë: “Kam arritur te caku im në jetë”, dije se ky njeri ka filluar të shkatërrohet. Njeriu duhet të përpiqet kah suksesi ndërsa Allahu i madhërishëm, punëtorët nuk i lenë pa shpërblim. Bediuz-zeman el-Hemezani ka thënë:
“Unë duhet të përpiqem. Nuk është imja të arrij sukses”.
Lexoji këto këshilla nëse dëshiron të korrësh frytet s suksesit nga kopshti i jetës. Kjo është thirrje për shpëtim në dy jetët. Çfarë është dobia nga suksesi në këtë botë,nëse njeriu humb në botën tjetër!?

1. Bëhu i devotshëm (mutteki). Ky është furnizimi më i mirë dhe këshilla më e bukur. Allahu i madhërishëm thotë:
“…e kush u përmbahet dispozitave të Allahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare. Kush i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij, All-llahu realizon dëshirën e vet dhe All-llahu çdo gjëje ia ka caktuar kohën (afatin).”(1)
“…E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën. “(2)

2. Mbushe zemrën tënde me dashuri ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij s.a.v.s. Pastaj duaj, prindërit tu, familjen, farefisin tënd, etj. Dashuria njeriun, zgjatë jetën dhe krijon qetësi,ndërsa urrejtja mbushë zemrën me fatkeqësi dhe pendim. Dashuria shëron plagët dhe në zemër zgjon ngrohtësinë e afërsisë dhe simpatisë.

3. Dashuria ndaj vetit le të jetë e asgjësuar në krahasim me dashurinë ndaj tjerëve.
I lartësuari thotë:
“…madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për te, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar. “(3)
Të lumturit përhapin mirësi ndaj tjerëve, kështu që lumturia e tyre rritet, ndërsa fatkëqijtë të mirën e mbajnë për vete, kështu që ajo vdes tek ata. Le të mbushet zemra jote me dashuri, tolerancë dhe ngrohtësi. Të palumtur janë ata që e kanë zemrën e mbushur me urrejtje, mendim të keq ndaj të tjerëve dhe hipokrizi.

4. Mos derdhë lot për atë që ka kaluar. Ata që qajnë për shkak të mos suksesit në të kaluarën nuk anojnë kah kjo botë. Ata që qeshin vështirësitë e të tjerëve, nuk do të kenë mëshirën e kohës. Mos qaj për qumështin e prishur, por mundohu të fitosh dhe zëvendësosh qumështin e humbur!
Përkujto fjalët e Pejgamberit s.a.v.s
“Nëse të ndodhë diç mos thuaj: sikur ta kisha bërë edhe këtë edhe këtë… Thuaj: Këtë Allahu i ka përcaktuar, Ai bën çfarë të dojë. Fjala “sikur” hap dyert shejtanit.”(4)

5. Bëhu optimist. Optimisti natën shikon në qiell dhe sheh ngrohtësinë e Hënës. Ndërsa pesimisti shikon në qiell dhe sheh ashpërsinë e errësirës. Bëhu edhe më optimist se je tani.
Optimisti tërheqë dashurinë e tjerëve, ndërsa pesimisti e largon. Halimi thotë: “I Dërguari i Allahut s.a.v.s e ka dashur optimizmin. Sepse pesimizmi është mendim i keq për Allahun, ndërsa optimizmi mendim i mirë për Të. Besimtari duhet të mendoj mirë për Allahun e Madhërishëm çdo situatë.”
Muavija b.Hakem thotë: “I thashë Pejgamberit s.a.v.s në mesin tonë ka njerëz që në çdo gjë shohin shenjë të keqe”. Ai u përgjigj: “Ata këtë e ndjejnë në vete dhe kjo nuk duhet të jetë pengesë”.(5)
Neveviu kështu e shpjegon këtë hadith: “Këtë ju e ndjeni e nuk jeni fajtor për këtë. Mirëpo, për këtë mos ndaleni të veproni për të mirën tuaj”.

6. Bëhu më konkret ndaj njerëzve. Padrejtësia shkurton jetën dhe sjellë pagjumësi. Me këtë humbasim personat e dashur për shkak se jemi jo korrekt ndaj tyre. Për ata gjykojmë në bazë të gabimeve, ndërsa harrojmë virtytet e tyre.
Kërkojmë të jenë të privuar nga çdo e metë, ndërsa nga gabimet tona e arsyetojmë me atë që njerëzit nuk janë të pagabueshëm. Imam Muhammed b. Sirin thotë: “Je i padrejtë ndaj vëllait tënd nëse flet për të këqijat që ia ke parë tek ai, ndërsa i fshehë të mirat e tij”.
Ibn Kajjimi thotë: “Si mundet me qenë korrekt ndaj krijesave ai i cili nuk është korrekt ndaj Krijuesit.”

7. Kur njerëzit të gjuajnë me tjegull, përulu merre dhe me të ndërtoje shtëpinë. Kur të gjuajnë me lule, ndaje me mësuesit tu të cilët të kanë ndihmuar në momentet e vështira.

8. Para se gjithash bëhu i sigurt tek Allahu e pastaj në vete.
– Njihi të metat tuaja dhe dije mirë që kur të lirohesh nga të metat tuaja, do të jesh më afër ëndrrave tuaja.
– Përkujtoi gabimet tuaja për tu liruar nga të metat. Harroji gabimet e miqve dhe shokëve tu, në mënyrë që t’i ruash.
– Dije se lumturia e njeriut është në vështrimin e të metave tuaja, e jo të metave të tjerëve.

9. Kur arrin sukses në diç, mos lejo që krenaria të depërton në zemrën tënde.
Pejgamberi s.a.v.s ka thënë: “Allahu i Madhërishëm më ka shpallur që të jem modest,dhe që askush të mos krenohet dhe ngrihet mbi askënd”.(6)
I lartësuari thotë:
“…pra, mos lavdëroni veten, se Ai e di kush është më i ruajtur.”(7)
Kur bie, mos lejo që padituria të bind që njerëzit ta kanë bërë gropën. Mundohu të ngrihesh dhe hapi sytë dhe mendjen që të mos biesh në greminën dhe kurthet e kohës. Nëse rrëshqet, mëso sit ë drejtohesh e jo të ankohesh .Kur të ngrihesh mendo në ata që kanë rënë, për t’u ndihmuar që të ngritën.

10. Kur fiton në polemikë me tjetrin mos u kreno. Kur përjetojnë ndonjë fatkeqësi ndihmoje, bile me lutje(dua).
I lartësuari thotë:
“Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (lavdishëm)”.(8)
Njëra prej lutjeve të Pejgamberit s.a.v.s ka qenë: “O Zoti im mos lejo që për shkak timin të gëzohen armiqtë e mi” Ai ka këshilluar: “Mos u gëzo në fatkeqësinë e vëllait, e që Allahu ta mëshiroj atë, e ty të vie sprovë”.(9)

11. Kënaqësia me pak nuk të sjellë në letargji. Fuqia mos të sjellë në vetëmbrojtje. Modestia mos të sjellë në pa fuqi. Pejgamberi, s.a.v.s ka thënë: “Kush është modest për Allahun, Allahu do ta ngritë, përderisa nuk e vendos në shkallë më të larta.”(10)

12. Gjeje një mik të mirë dhe ruaje.
Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të vet andaj ke kujdes me kënd shoqëroheni”.(11)
Mos kritiko për çdo imtësi dhe kalo nëpër gabimet e tija. Përsosmëria i takon vetëm Allahut. Le të jetë më e rëndësishme te ai besimi i tij në Allahun dhe morali i bukur ,ruaje këtë mik. Nëse e humb nuk ke me kënd t’i ndash problemet dhe nuk ka të udhëzoj në mirësi. Abdullah b. Xhaferi ka thënë: “Shoqërohu me atë, shoqëria e të cilit të zbukuron, ai i cili në mungesë të mbron, në vështirësi të ndihmon, ai i cili të korrigjon gabimet dhe të vlerëson virtytet.”

13. Falja atyre që kanë gabuar ndaj teje dhe gjejë arsyetim për veprimet e tyre. Bëhu ekstrem në faljen tënde. Kjo zgjatë jetën. Do të fitosh besim te njerëzit dhe do të nderojnë. Hidhe nga zemra dhe koka jote helmin e urrejtjes. Pejgamberi, s.a.v.s ka thënë: “A nuk mundeni me qenë si paraardhësi im Damdami? Ai ku dilte nga shtëpia thoshte:
“Nderin tim ia dhuroi njerëzve!”(12)
Imam Neveviu kështu e shpjegon këtë hadith:”Nuk kërkoj dëmshpërblim nga ata që më kanë shkaktuar dëm as në këtë botë as në botën tjetër”.

14. Ndaji me të tjerët ndjenjat tua, diturinë, pasurinë dhe kohën. Kur u ndihmoni njerëzve mos kërko që ata të ndihmojnë ty. Veprat tua le të jenë të kushtuara për Allahun e madhërishëm .Kur dikujt i bën mire kurrsesi mos e përkujto atë. Ndërsa kur dikush të bën mire ty, assesi mos e harro.
I lartësuari thotë:
“O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim”.(13)
Përkujto fjalët e poetit:
Bëju mirë njerëzve,do të robërosh zemrat e tyre.
Ka shumë njerëz që me vepra të mira janë robëruar.

15. Mendo se çdo mos sukses që përjeton është një përvojë jetësore e cila i paraprinë secilit sukses dhe fitores. Sa do që zgjatë nata me doemos paraqitet agimi. Një i urtë ka thënë: “Suksesi është shkallët të cilat nuk mund ti kalosh me duar në xhepa”.

16. Falëndero Allahun në pjatën me fasule.
Mos mallko kohën që nuk ke ngrënë kaviar për çdo ditë. Bëhu i kënaqur me atë që ke. Ruaju nga zilia. Allahu i Madhërishëm disa njerëzve të caktuar iu ka dhuruar begati andaj mos dëshiro humbjen e begative të tjerëve. Kërko nga Allahu furnizim. Pejgamberi i zgjedhur, s.a.v.s ka thënë: “Ebu Hurejre, bëhu i ndershëm, do të jesh njeri më i devotshëm. Bëhu i kënaqur me atë që ke, do të jesh njeriu më falënderues. Dëshiroi të tjerëve atë që dëshiron për vete,do të jesh besimtar. Bëhu i mirë ndaj fqinjëve tu, do të jesh mysliman i vërtetë. Mos qeshë shumë sepse qeshja e tepërt vdes zemrën”.(14)

17. Mos harro që çdo ditë të kërkosh nga Allahu falje dhe shëndet.
Në hadithin që shënon Tirmidhiu përmendet që Pejgamberi, s.a.v.s ka thënë: “Lutuni Allahut për falje dhe shëndet, pas besimit nuk ka më mirë se shëndeti”.

18. Kërko nga Allahu dije të dobishme dhe furnizim të madh.
Dituria është thesar të cilin nuk mund ta vjedhin hajnat. Njëmijë dinar te injoranti vlen sa një enë me pluhur. Ndërsa enën me pluhur dijetari mund ta kthej në njëmijë dinar. Ali b. Ebu Talibi Allahu e nderoftë i ka thënë një bashkëkohësi: “O njeri dituria është më e mirë se pasuria. Dituria të ruan ty, ndërsa pasurinë e ruan ti. Dituria sundon ndërsa me pasuri sundohet. Pasuria me harxhim pakësohet, ndërsa dituria me harxhim rritet”. Pejgamberi, s.a.v.s ka thënë: “Lutuni Allahut për dituri të dobishme dhe mbrojtje nga Ai për dituri të padobishme”.(15) Për këtë ai bënte këtë lutje: “O Zoti im, kërkoj mbrojtje prej Teje nga dituria e cila nuk shërben, nga zemra që nuk është e devotshme, nefsi i pangopur, dhe lutja e cila nuk pranohet”.(16)

19. Mundohu ti gëzosh të afërmit tu, që të jesh i lumtur ti dh tjerët përreth teje.
Ti nuk mund të qeshë në mes lotëve. Nuk mund të kënaqesh në diellin e mëngjesit nëse të tjerët rreth teje janë në errësirë. Lumturia e njeriut është më e madhe kur arrin të bësh sa më shumë të lumtur rreth teje. Nëse ke para mundohu ti gëzosh të tjerët me dhurata. Nëse je varfër mundohu ti gëzosh me fjalë të mira. Pejgamberi, s.a.v.s ka thënë: “Kush ka më tepër furnizim le ti jap atij që nuk ka furnizim”.(17)
Pejgamberi, s.a.v.s gjithashtu ka thënë: “Largohu nga Zjarri, qoftë me gjysmë hurme. Kush nuk e ka edhe këtë, le të përcjellë fjalën e mirë”.(18)
Pejgamberi, s.a.v.s gjithashtu ka thënë: “Mos nënçmoni asnjë vepër të mirë,çoftë edhe me takua vëllaun tënd me fytyrë të buzëqeshur”.(19)

20. Mundohu ta mbash mend ata që të kanë ndihmuar në momentet e vështira, ata që ta kanë zgjatur dorën kur ke rrëshqitur.
Kur kanë qëndrua me ty kur dynjaja ta ktheu shpinën, ata të cilët të nxorën nga vetmia kur të lanë të gjithë të tjerët. Ktheju me të mirë dhe shpaguhu sa të mundesh.
Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Kush nuk falënderon njerëzit, nuk falënderon as Allahun”.(20)
“Kush ju bën mirë shpërbleni. Nëse nuk keni me çka, atëherë lutuni për të, përderisa nuk ia shpaguan”.(21)

21. Mundohu ti kujtosh emrat e atyre që padashur u ke bërë keq.
Lutu Allahut që të falë dhe lutu Atij për ata. Mos u hakmerr ndaj njerëzve, sepse hakmarrja është humbje e kohës.

22. Ndihmoji të dobëtit derisa nuk i kthehet fuqia.
Qëndro me fatkeqin përderisa nuk sheh një fije shpresë. Qëndro me atë që ka falimentuar derisa nuk arrin në rrugën e suksesit. Mundohu ti shërosh plagët e njerëzve. Mendo për fjalët e Pejgamberit, s.a.v.s. ka thënë: “Besimtari është pasqyrë e besimtarit. Besimtari është vëlla i besimtarit. Ai ia ruan pasurin, gjakun dhe nderin e tij dhe ia mbron shpinën e tij.”(22)

23. Kur vërshon errësira bëhu prej atyre që bartin fanarin e dritës, e jo prej atyre që me gur thyejnë fanarët.
Ndërsa kur të vie agimi, bëhu prej atyre që presin rrezet e dritës , e jo prej përtacëve që nuk ndiejnë ardhjen e dritës.

24. Mundohu t’ua kthesh borxhin njerëzve.
Disa të kanë dhënë rezime të përvojës së tyre shumëvjeçare. Disa të kanë dhënë besimin. Nuk i ke kaluar vetëm furtunat e jetës. Disa të kanë shndritë në mesin e errësirës, dhe ti e ke parë rrugën. Disa të kanë mbushur mend. Me rëndësi është nga e tërë kjo me qenë falënderues ndaj Allahut të Madhërishëm i cili ti dhuroi të gjitha begatitë. A thua si do të sillemi kur i Lartësuari në ditën e gjykimit na thotë, sikur se qëndron në hadithi-kudsijj që e shënon Muslimi: “O i biri Ademit! A nuk të kam dhënë kuaj dhe deve, të kam dhënë bashkëshorte, të kam bërë udhëheqës i cili ka marrë një të katërtën e plaçkave? Ku është falënderimi në këtë? A kemi përgjigje në këtë pyetje?”

25. Kur afrohesh te maja e kodrës mos lejo që suksesi të çartë.
Mos mendo se ata që janë nën rrëzë janë shkurtabiqë.
Allahu i madhërishëm thotë:
“…mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet.”(23)
Kur e kanë pyetur Hasan el Basriun për modestin, ka thënë: “Modesti është kur të dalësh nga shtëpia, çdo mysliman që e sheh të mendosh se është me i mire se ti”.
Mbizotëro unin tënd, zgjatu dorën e ndihmës tjerëve që të ngjiten në kodër. Nëse rrëshqet pasi ke hipë në majën e kodrës mos i fajëso tjerët për gabime dhe mangësi. Mos harro se në maje të kodrës mund të qëndrosh me ndihmën e shumë njerëzve që janë me ty.

26. Mos hulumto të metat e tjerëve.
Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë: “Kur njeriu thotë: “Njerëzit janë shkatërruar”, atëherë ai është më i shkatërruari prej tyre”.(24) Hattabi thotë se qëllimi i këtij hadithi është: “Kur njeriu iu gjen të metat e tjerëve dhe thotë që njerëzit janë prishur dhe shkatërruar kjo d.m.th se ai është në gjendje më të keqe se ata, për shkak të mëkateve që do të fitoj me këtë”. Maliku thotë: “Nëse këtë e thotë për shkak të keqardhjes së gjendjes së tyre në fe, kjo është gabim. Mirëpo nëse, kështu dëshiron të kryelartësohet mbi ata duke zvogëluar vlerën e tyre, kjo është e ndaluar.

27. Mos lejo që pa shpresa të arrij në zemrën tënde.
Pashpresa mbyll sytë, kështu që nuk mundesh me pa dyert e hapura. I Lartësuari thotë:
“O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues”.(25)

28. Bëhu i sigurt që nëse je i përpiktë në punën tënde, dhe duash, dhe je i përkushtuar do të arrish atë që të tjerët nuk kanë mundur.
Mos harro hadithin e Pejgamberit, s.a.v.s.: “Allahu do që kur bën një punë, ta bësh me përpikëri”.(26)

29. Ke ndërmend që besimtari mund të duroj urinë, të jetoj në skamje, i torturuar, i bojkotuar.
Por, besimtari nuk mund të jetoj i nënçmuar. Allahu i Madhërishëm thotë:
“E tërë krenaria i takon Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë! “(27)

30. Bën llogari me vetveten para se të koha e Llogarisë.
Njësoji veprat tua, para se me të njësuar. I Lartësuari thotë:
“O ju që besuat,frikësohuni Allahut dhe le të shikoj njeriu se çka ka bërë për nesër dhe kini frikë Allahun, e s’ka dyshim se Allahu është që e di në detaje atë që punoni!”(28)
Omer b.Hattab r.a ka thënë: “Llogaritni me veten para se t’ ju llogaritin. Peshohuni para se me t’ju peshojnë. Përgatituni për ditën ku do të ekspozoheni dhe kur nuk do të mund të fshihni asgjë”.

__________
1. El Talak, 2-3
2. El Talak, 4
3. El Hashr, 9)
4. Hadithin e shënon Muslimi
5. Muslimi
6. Muslimi
7. En Nexhm, 32
8. Esh Shura, 43
9. Tirmidhiu
10. Ibn Maxhxheh
11. Tirmidhiu
12. Ebu Davudi
13. El Bekare, 264
14. Ibn Maxhxheh
15. Ibn Maxhxheh
16. Ibn Maxhxheh
17. Muslimi
18. Buhariu dhe Muslimi
19. Muslimi
20. Tirmidhiu
21. Ebu Davudi
22. Ebu Davudi
23. Lukman, 18
24. Muslimi
25. Ez Zymer, 53
26. Ebu Ja’la
27. El Munafikun, 8
28. El Hashr, 18

Prim. dr. med. sc. Ali F. Iljazi (r.a)