Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të vizitojë Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos, Zvicër, të mërkurën dhe të enjten, mes tensioneve në rritje me partnerët evropianë për Grenlandën, tha të hënën Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, raporton Anadolu.
“Ka qenë një vit i ngarkuar, dhe presidenti do të jetë këtu të mërkurën dhe të enjten për të përmbledhur vitin, dhe për të folur për mendimet e tij për të ardhmen” tha Bessent për gazetarët gjatë aktivitetit vjetor në resortin alpik zviceran.
Ai theksoi se Trump do të përcjellë se “America First” nuk do të thotë vetëm Amerika, duke shtuar se presidenti amerikan do të demonstrojë “se si duket udhëheqja amerikane në botë”.
Bessent hodhi poshtë sugjerimet se interesimi i Trump për Grenlandën lidhet me ndjekjen publike të Çmimit Nobel për Paqen, duke e quajtur atë “një trillim të plotë”. Ai tha se presidenti e sheh Grenlandën si një “aset strategjike” për Amerikën dhe nuk do të “delegojë… sigurinë hemisferike tek askush tjetër”.
Në një letër të raportuar të hënën, Trump i tha Kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Store, se nuk ndihet më i obliguar të përqendrohet ekskluzivisht tek paqja pas “vendimit të vendit tuaj për të mos më dhënë Çmimin Nobel për Paqen” dhe ripërsëriti kërkesat për kontrollin amerikan mbi Grenlandën.
Territori vetëqeverisës danez ka tërhequr interesin e Trumpit për shkak të vendndodhjes strategjike, burimeve të mëdha minerale dhe shqetësimeve për aktivitetet ruse dhe kineze.
Për një mundësi hakmarrjeje evropiane ndaj njoftimit të Trumpit të shtunën për tarifat 10 për qind mbi mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda duke filluar më 1 shkurt, dhe rritjen e tyre në 25 për qind në qershor, Bessent tha se një veprim i tillë do të ishte “shumë i pamend”.
“Mendoj se të gjithë duhet ta marrin presidentin seriozisht” shtoi ai.
Davos është emri informal për mbledhjen vjetore të WEF-it, që mbahet në janar në Zvicër, një tubim global ku liderë politikë, drejtues kompanish ndërkombëtare, akademikë dhe figura publike diskutojnë çështje ekonomike, gjeopolitike dhe sociale.


