Trump emëron Tony Blair-in në “Bordin e Paqes” për Gazën, kritikat shtohen

Tony Blair

Presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar ish-kryeministrin britanik Tony Blair si anëtar të “Bordit të Paqes” për Gazën, një strukturë që pritet të mbikëqyrë planin 20-pikësh të SHBA-së për përfundimin e luftës izraelite kundër palestinezëve në Gaza. Vendimi pritet të shkaktojë reagime dhe dënime të gjera ndërkombëtare.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Blair do të jetë pjesë e bordit ekzekutiv themelues, së bashku me Jared Kushner, sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin e posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff. Bordi do të funksionojë nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Trumpit.

Përfshirja e Blairit ka qenë e debatueshme që prej muajsh, që kur emri i tij u përmend për herë të parë si kandidat i mundshëm. Blair, i cili shërbeu si kryeministër i Britanisë së Madhe nga viti 1997 deri më 2007, ishte një nga mbështetësit kryesorë të “luftës kundër terrorizmit” të udhëhequr nga SHBA-ja dhe u rreshtua krah presidentit amerikan George W Bush në pushtimin e Irakut në vitin 2003.

Kritikat ndaj bordit u shfaqën menjëherë. Ashish Prashar, ish-ndihmës i Blairit, deklaroi se çdo formë kujdestarie ndërkombëtare mbi Gazën duhet të refuzohet, duke theksuar se “e ardhmja e Palestinës duhet të vendoset vetëm nga palestinezët”.

Në një deklaratë për Al Jazeera, Prashar tha se “duket se i vetmi kualifikim për t’u bashkuar me ‘bordin e paqes’ për Gazën është mbështetja dhe armatosja e projektit izraelit të gjenocidit, aparteidit dhe spastrimit etnik, si dhe kriminalizimi i atyre që e kundërshtojnë atë”.

Ai shtoi se “Bordi i Paqes për Gazën” është vetëm një projekt pilot dhe paralajmëroi se modele të ngjashme mund të përdoren nga administrata Trump edhe në vende të tjera si Venezuela apo Ukraina, në përputhje me interesat strategjike të SHBA-së. /mesazhi