Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi të shtunën se do t’i “shkatërrojë plotësisht” termocentralet e Iranit, duke filluar me më të madhin, nëse Teherani nuk hap Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh, transmeton Anadolu.
“Nëse Irani nuk e hap plotësisht, pa kërcënime, Ngushticën e Hormuzit brenda 48 orësh nga ky moment i saktë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të godasin dhe do t’i shkatërrojnë termocentralet e tyre të ndryshme, duke filluar me më të madhin”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Ai e publikoi kërcënimin në orën 19:44 sipas kohës lindore të SHBA-së (23:44 GMT), që do të thotë se caktoi një afat deri vonë të hënën.
Ai nuk specifikoi se cilit termocentral i referohej si më i madhi.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha të premten se Irani do të tregojë “zero përmbajtje” nëse infrastruktura e tij sulmohet.
Trump kishte deklaruar më parë për rrjetin publik amerikan PBS se kishte shmangur qëllimisht goditjen e termocentraleve në Teheran, sepse kjo do të shkaktonte dëme për vite me radhë dhe “traumë” për popullsinë civile. Ky kërcënim shënon një përshkallëzim të ndjeshëm të retorikës së tij.
Ngushtica e Hormuzit është mbyllur në mënyrë efektive që nga fillimi i marsit, duke shtyrë çmimet e naftës në rritje. Rreth 20 milionë fuçi naftë kalojnë çdo ditë nëpër këtë rrugë ujore, duke e bërë atë një nga pikat më kritike energjetike në botë.
Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit filluan më 28 shkurt dhe raportohet se kanë shkaktuar rreth 1.300 viktima, përfshirë edhe ish-Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei.





