Presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar se zhvilloi një telefonatë “të shkëlqyer, të gjatë dhe të plotë” me homologun e tij kinez, Xi Jinping, përpara një vizite zyrtare të ardhshme në Pekin, transmeton Anadolu.
Trump tha se ata diskutuan për “tregtinë, çështjet ushtarake, udhëtimin e prillit që do të bëj në Kinë, të cilin e pres me shumë kënaqësi, Tajvanin, luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, situatën aktuale me Iranin, blerjen nga Kina të naftës dhe gazit nga SHBA-ja”, si dhe çështje të tjera.
Trump tha se Kina po shqyrton mundësinë e blerjes së produkteve shtesë bujqësore amerikane, si dhe dërgesa të pritshme të motorëve të avionëve.
“Marrëdhënia me Kinën dhe marrëdhënia ime personale me presidentin Xi është jashtëzakonisht e mirë dhe të dy e kuptojmë sa e rëndësishme është ta mbajmë kështu”, tha ai në platformën e tij Truth Social.
“Besoj se do të arrihen shumë rezultate pozitive gjatë tre viteve të ardhshme të presidencës sime në lidhje me presidentin Xi dhe Republikën Popullore të Kinës”, theksoi Trump.
Kina e konfirmoi më herët telefonatën, por dha pak detaje.
Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Washingtonit janë stabilizuar pasi Xi dhe Trump u takuan në fund të tetorit në Korenë e Jugut, me të dyja palët që vlerësuan përparimin në zbutjen e mosmarrëveshjeve tregtare të kahershme, të cilat kishin tronditur tregjet globale.



