Ballina Lajmet Rajon dhe Botë “Trump po shqyrton në heshtje largimin nga marrëveshja tregtare SHBA-Meksikë-Kanada”

“Trump po shqyrton në heshtje largimin nga marrëveshja tregtare SHBA-Meksikë-Kanada”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton privatisht mundësinë e largimit nga marrëveshja tregtare SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA), duke shtuar pasigurinë mbi të ardhmen e paktit në prag të rinegociimeve të rëndësishme midis tre vendeve, transmeton Anadolu.

Zyrtarë që folën për Bloomberg në kushte anonimiteti thanë se presidenti amerikan u ka kërkuar ndihmësve të tij shpjegime pse nuk duhet të heq dorë nga marrëveshja e arritur gjatë mandatit të tij të parë, por pa dhënë sinjale të qarta se do ta bëjë një hap të tillë.

I pyetur për diskutimet, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi Trumpin si vendimmarrësin përfundimtar dhe si një lider që kërkon vazhdimisht marrëveshje më të favorshme për qytetarët amerikanë. Sipas tij, çdo diskutim mbi veprime të mundshme para një njoftimi zyrtar nga presidenti mbetet spekulim i pabazë.

Një përfaqësues nga zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së Jamieson Greer tha se administrata synon të mbajë të hapura opsionet e presidentit dhe të angazhohet në negociata për të adresuar mangësitë e identifikuara, duke argumentuar se kushtet e vitit 2019 nuk ishin në interesin më të mirë të vendit.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtarët shmangën konfirmimin e drejtpërdrejtë nëse Trump po konsideron largimin nga marrëveshja. Dje, Greer deklaroi se administrata do të zhvillojë bisedime të ndara me Kanadanë dhe Meksikën, duke përmendur marrëdhëniet më të tensionuara tregtare me Kanadanë.

USMCA-ja zëvendësoi Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), e cila kishte rregulluar tregtinë mes tre vendeve që nga viti 1994, por ishte kritikuar nga Trump gjatë fushatës së tij të parë presidenciale. Marrëveshja e re përfshin një klauzolë rishqyrtimi, që kërkon rinegociim këtë verë, si dhe rregulla më të rrepta për përmbajtjen amerikane në industrinë automobilistike.

Më 1 korrik, USMCA-ja do t’i nënshtrohet një rishqyrtimi të detyrueshëm përpara një zgjatjeje të mundshme. Procesi, fillimisht i konsideruar rutinë, është shndërruar në negociata të tensionuara. Trump ka ushtruar presion ndaj Kanadasë dhe Meksikës për çështje si mbrojtja, migracioni dhe trafiku i drogës, krahas kërkesave për koncesione tregtare shtesë.

Sipas një zyrtari, fusha të ndjeshme përfshijnë rregullat e origjinës për mallrat industriale, bashkëpunimin për mineralet kritike, mbrojtjen e punëtorëve dhe praktikat e dumpingut. Greer pritet të rekomandojë rinovimin e marrëveshjes nëse arrihet një kompromis i pranueshëm.

Në rast se vendet bien dakord për rinovim, marrëveshja do të zgjasë edhe 16 vjet. Në të kundërt, mund të pasojnë rishqyrtime vjetore deri në skadimin e saj në vitin 2036. Çdo vend mund të njoftojë largimin me paralajmërim 6-mujor.

Marrëveshja mbulon afër 2 trilionë dollarë në mallra dhe shërbime, ndaj çdo tërheqje e mundshme e SHBA-së do të trondiste një nga marrëdhëniet ekonomike më të mëdha në botë dhe do të rriste pasigurinë në tregjet globale.