Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti se vendi i tij ka vendosur një forcë detare të konsiderueshme në Lindjen e Mesme, për shkak të tensioneve të rritura me Iranin, transmeton Anadolu.
“Kemi një armadë të madhe atje tani, dhe shpresojmë që nuk do të duhet ta përdorim, por është shumë e fuqishme, më e madhe se ajo që kemi në Venezuelë që e dërguam atje dhe funksionoi shumë mirë”, tha Trump në një intervistë në një radio.
SHBA-ja dërgoi Grupin Goditës të Aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në Lindjen e Mesme të hënën “për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.
Sipas raportimeve mediatike, SHBA-ja gjithashtu ka dërguar sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot dhe THAAD në Lindjen e Mesme.
“Kemi një armadë të madhe atje, dhe do të shohim. Shpresojmë që nuk do të duhet ta përdorim” tha Trump.
Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në qytete iraniane për të shprehur pakënaqësitë ekonomike, gjë që shtyu Trump të paralajmërojë për ndërhyrje të SHBA-së nëse protestuesit vriteshin, megjithëse më pas zbuti retorikën pasi pretendoi se Teherani kishte ndalur vrasjet pas paralajmërimit të tij.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të shkaktonte një “përgjigje të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”.






