Trump shpall “emergjencë kombëtare” për shkak të Covid-19

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka shpallur “situatën e emergjencës kombëtare” në të gjithë vendin për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri (Covid-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump mbajti një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë lidhur me epideminë Covid-19 i cili ka rritur ndikimin e tij në SHBA.

Duke mbrojtur idenë e tij se SHBA-ja ka parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit me masat e marra para kohe, Trump vuri në dukje se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar që Evropa është qendra e re e krizës së virusit.

“Unë shpall zyrtarisht situatën e emergjencës kombëtare. Këto janë dy fjalë të mëdha shumë të rëndësishme”, tha Trump duke vënë në dukje se do të jetë i disponueshëm një fond emergjent deri në 50 miliardë dollarë.

Sipas përditësimeve të fundit në të gjithë SHBA-në janë 1.700 raste të koronavirusit, ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 41.