Presidenti amerikan Donald Trump po rikthen në qendër të debatit pretendimet për manipulimin e zgjedhjeve, duke akuzuar Kinën për ndërhyrje në procesin presidencial të vitit 2020.
Në një fjalim 25-minutësh në një orar me shikueshmëri të lartë, ai deklasifikoi një sërë dokumentesh që, sipas tij, provojnë se Pekini kishte depërtuar në sistemin zgjedhor amerikan.
Megjithatë, përmbajtja e dokumenteve dhe vlerësimet zyrtare të inteligjencës amerikane nuk mbështesin këto pretendime.
Lëvizja e Trump vjen vetëm pak muaj para zgjedhjeve të nëntorit, në një moment kur ai dhe republikanët përballen me rënie të popullaritetit për shkak të luftës me Iranin, çmimeve të larta të energjisë dhe shqetësimeve ekonomike.
Për kritikët, retorika e re për “zgjedhjet e vjedhura” ngjan me përgatitjen e një alibie në rast të një rezultati të pafavorshëm, një strategji që kujton refuzimin e rezultateve zgjedhore nga liderë të tjerë populistë në vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë.
Trump deklaroi se Kina kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhënat e rreth 220 milionë votuesve amerikanë dhe akuzoi pjesë të komunitetit të inteligjencës se kishin fshehur informacionin.
Por një raport i inteligjencës amerikane, i publikuar në vitin 2021 dhe hartuar nën drejtimin e John Ratcliffe – atëherë drejtor i Inteligjencës Kombëtare dhe sot drejtues i CIA-s – arrinte në përfundimin se nuk kishte asnjë provë që ndonjë fuqi e huaj kishte ndryshuar regjistrat e votuesve, fletët e votimit, numërimin apo rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Dokumentet e deklasifikuara tregojnë se Kina ka mbledhur prej vitesh informacion publik mbi votuesit amerikanë, partitë dhe kandidatët politikë, kryesisht për të analizuar klimën politike dhe për të parashikuar rezultatet elektorale.
Sipas burimeve të njohura me çështjen dhe të cituara nga Reuters, këto të dhëna nuk ishin sekrete, pasi listat e votuesve blihen rregullisht nga konsulentë politikë dhe nuk mund të përdoren për të manipuluar votimin.
Madje disa prej dokumenteve të publikuara bien ndesh me mesazhin e presidentit. Një raport i CIA-s flet për zgjedhjet në Venezuelë dhe jo për SHBA-në.
Një tjetër vlerëson se sistemet amerikane të numërimit të votave janë shumë të vështira për t’u manipuluar në një shkallë që do të ndryshonte rezultatin.
Një dokument tjetër përmend përpjekje të shërbimeve kineze për të mbledhur informacione mbi fushatën e Joe Biden, por shton se Pekini nuk kishte ndërmend të ndërhynte fshehurazi për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.
Trump përsëriti edhe pretendime të tjera të njohura, duke folur për mashtrime masive me votimin me postë dhe për qindra mijëra jo-shtetas të regjistruar për të votuar.
Megjithatë, studimet dhe vendimet e gjykatave amerikane kanë treguar vazhdimisht se raste të tilla janë jashtëzakonisht të rralla dhe nuk kanë ndikuar në rezultatet zgjedhore.
Senatori demokrat Mark Warner reagoi menjëherë, duke i cilësuar deklaratat e presidentit “plotësisht të pavërteta” dhe duke kujtuar se të gjitha agjencitë amerikane të inteligjencës kanë arritur në të njëjtin përfundim: Kina nuk ndryshoi asnjë votë në zgjedhjet e vitit 2020.
Ndërkohë, Trump vazhdon t’u bëjë presion republikanëve që të miratojnë ligjin SAVE America Act, i cili do të kërkonte identifikim me fotografi për votimin, provë shtetësie për regjistrimin dhe kufizime të forta për votimin me postë.
Demokratët e kundërshtojnë projektligjin, duke argumentuar se ai synon të vështirësojë pjesëmarrjen në votime. Në prag të zgjedhjeve të nëntorit, duket se Trump po rikthen të njëjtën strategji politike që përdori edhe pas humbjes ndaj Joe Biden: mbjelljen e dyshimeve mbi procesin zgjedhor përpara se qytetarët të shprehen me votë.
Për kundërshtarët e tij, kjo nuk është një betejë për integritetin e zgjedhjeve, por një përpjekje për të justifikuar paraprakisht një humbje të mundshme. /tesheshi



