Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se një forcë e madhe detare amerikane po lëviz drejt Iranit, duke shprehur shpresë për një marrëveshje me Teheranin, por duke lënë gjithashtu të hapura opsionet, transmeton Anadolu.
“Ne kemi një ‘Armada’ të madhe, një flotë… që po lëviz drejt Iranit tani, madje më e madhe se ajo që kishim në Venezuelë”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Ai përsëriti se SHBA-ja po dërgon “aktualisht një numër edhe më të madh anijesh” drejt Iranit.
“Shpresojmë që të bëjmë një marrëveshje. Nëse bëjmë marrëveshje, mirë. Nëse nuk bëjmë marrëveshje, do të shohim se çfarë ndodh”, shtoi ai.
I pyetur nëse i ka vendosur Iranit ndonjë afat për arritjen e një marrëveshjeje, Trump u përgjigj: “Vetëm ata e dinë me siguri”.
Ai tha se ka komunikuar me ta. “Ata do të varnin 837 persona. Dhe unë u thashë: ‘Nëse e bëni këtë, do të paguani një çmim si askush më parë’. Dhe ata u tërhoqën. E vlerësova këtë… Pra, do të shohim çfarë ndodh. Mund ta them këtë: Ata duan të bëjnë një marrëveshje”, tha ai.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, deklaroi të premten se përpjekjet diplomatike me SHBA-në mund të kenë sukses vetëm nëse Washingtoni heq dorë nga kërcënimet dhe veprimet luftënxitëse në rajon, duke theksuar se dialogu kërkon vullnet të mirë dhe besim të ndërsjellë.
Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të përballet me një përgjigje “të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse”, duke ritheksuar se Teherani mbetet i hapur për bisedime vetëm mbi atë që e quan “kushte të drejta, të balancuara dhe jo shtrënguese”.






