Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon t’u bëjë thirrje aleatëve evropianë të “bëjnë më shumë” për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke e krahasuar këtë apel me kërkesën e tij të mëhershme që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, transmeton Anadolu.
“Këto vende përfitojnë absolutisht nga sigurimi që Irani të mos mund të sigurojë kurrë një armë bërthamore”, u tha gazetarëve Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
“Kjo është diçka me të cilën jo vetëm SHBA-ja, por e gjithë bota perëndimore është pajtuar për shumë e shumë vite. Prandaj mendoj se presidenti ka absolutisht të drejtë t’u bëjë thirrje këtyre vendeve të bëjnë më shumë për të ndihmuar SHBA-në të rihapin Ngushticën e Hormuzit”, shtoi ajo.
Leavitt theksoi se vendet si Mbretëria e Bashkuar, të cilat varen shumë nga dërgesat e energjisë që kalojnë përmes kësaj ngushtice, gjithashtu përfitojnë nga përpjekjet për të siguruar këtë rrugë ujore.
“Presidenti foli për këtë mbrëmë. Ai tha se do të kishte dashur që Mbretëria e Bashkuar të kishte vepruar më herët dhe më shpejt”, tha ajo.
“Ai vazhdon të bisedojë me aleatët tanë në Evropë dhe u bën thirrje atyre të bëjnë më shumë, ashtu siç bëri kur u kërkoi të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në NATO”, shtoi ajo.
Dje, Trump u bëri thirrje Kinës, Francës, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Mbretërisë së Bashkuar që t’i bashkohen asaj që ai e përshkroi si një “përpjekje ekipore” për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit duke dërguar anije luftarake, megjithëse deri tani asnjë vend nuk është angazhuar për këtë plan.
Sot, kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Britania “nuk do të përfshihet në një luftë më të gjerë”, duke theksuar se dërgimi i trupave duhet të bazohet në një mandat ligjor.
Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, gjithashtu shprehu kujdes, duke theksuar se Berlini aktualisht nuk sheh ndonjë vendim të NATO-s për të marrë përgjegjësinë për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.


