Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trump: Vendet e prekura do të dërgojnë luftanije me SHBA-në për ta...

Trump: Vendet e prekura do të dërgojnë luftanije me SHBA-në për ta mbajtur Hormuzin “të hapur dhe të sigurt”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha sot se vendet e prekura nga përpjekja e Iranit për të mbyllur Ngushticën e Hormuzit do të dërgojnë anije luftarake së bashku me SHBA-në për ta mbajtur ngushticën “të hapur dhe të sigurt”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në platformën e tij sociale Truth Social, Donald Trump u bëri thirrje Kinës, Francës, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Mbretërisë së Bashkuar të dërgojnë anije luftarake për të siguruar Ngushticën e Hormuzit.

“Në ndërkohë, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë fort vijën bregdetare dhe do të vazhdojnë të qëllojnë anijet dhe varkat iraniane derisa t’i fundosin”, shtoi ai.

Donald Trump pretendoi se SHBA-ja ka shkatërruar “100 për qind të kapacitetit ushtarak të Iranit”, por tha se për Iranin është e lehtë të dërgojë një ose dy dronë, të vendosë mina ose të lëshojë një raketë me rreze të shkurtër diku përgjatë kësaj rruge ujore, pavarësisht sa i mposhtur është.

Ai gjithashtu kundërshtoi raportimet që pretendonin se pesë avionë furnizues me karburant të SHBA-së u goditën dhe u bënë të papërdorshëm në një sulm në një aeroport në Arabinë Saudite, duke e quajtur atë “lajm të rremë”.

“Katër nga pesë nuk kishin pothuajse fare dëmtime dhe tashmë janë rikthyer në shërbim”, deklaroi ai.

Irani në mënyrë efektive ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit që nga 1 marsi, pas nisjes së sulmeve të përbashkëta nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kundër Iranit më 28 shkurt, të cilat deri tani kanë vrarë më shumë se 1.200 persona, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei. Që atëherë, armiqësitë janë përshkallëzuar.

Tehrani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.