Trupi i pajetë i të riut Artan Zymberi dërgohet për autopsi në Norvegji

Trupi i pajetë i Artan Zymberi – 28 vjeç, i cili u raportua i vdekur në burgun e Sremska Mitrovica në Serbi, mëngjesin e së enjtes i është dorëzuar organeve kompetente të shtetit norvegjez për të iu bërë autopsia.

Lajmin e konfirmoi në një prononcim për Telegrafin, Nagip Zuberi, xhaxhai i të riut, Artan Zymberi.

Ai tha se trupin e kanë dorëzuar familjarët për autopsi në Norvegji, dhe siç tha ai janë në pritje të rezultatit.

“Po sot në mëngjes e kanë dorëzu trupin e pajetë të Artan Zymberit, tek organet kompetente të Norvegjisë, për t’ia bërë autopsinë”, ka thënë xhaxhai i Artanit, Nagip Zuberi.

Ndryshe, Artan Zymberi nga Peja, është me nënshtetësi norvegjeze dhe ka ndërruar jetë në burgun e Sremska Mitrovica, në Serbi.