Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka lëshuar një deklaratë lidhur me përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme, duke e nisur me fjalët: “Programi bërthamor i Iranit ka qenë prej kohësh një shqetësim serioz, dhe sulmet e tij me raketa ndaj Izraelit kërcënojnë paqen rajonale”.
Carney tha se ka mbledhur këshillin e sigurisë për të marrë përditësime mbi situatën në rajon.
“Kanadaja rikonfirmon të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur dhe për të garantuar sigurinë e vet. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të ecin drejt një zgjidhjeje diplomatike,” shkroi ai në platformën X.
Deklarata e kryeministrit kanadez u kritikua ashpër nga grupi i të drejtave “Kanadezët për Drejtësi dhe Paqe në Lindjen e Mesme”, të cilëm e quajtën një “turp”.
“Ja ku jemi. Kanadaja mbështet sulmin e paprovokuar të Izraelit ndaj Iranit, një shkelje e hapur e Kartës së OKB-së dhe një krim agresioni. Në vend që të shtyjë për çtensionim, Carney po i jep mbështetje udhëheqjes gjenocidale të Izraelit, teksa e tërheq rajonin edhe më thellë në ferr,” thuhet në reagimin e tyre. /mesazhi








