Turqi, padi kundër pronarit të licencës ByLock, aplikacionit për komunikim të FETO-s

Një gjykatë në Turqi ka ngritur padi kundër David Keynes, anëtar i organizatës terroriste FETO dhe pronar i licencës për programin e komunikimit të koduar të terroristëve të FETO-s, ByLock. Prokuroria ka kërkuar që Keynes të dënohet me 15 vjet burg, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fakt bëhet fjalë për Alparslan Demir, i cili ndryshoi emrin e tij pasi u pajis me shtetësi të SHBA-së.

Zyra e Prokurorit Republikan në Stamboll ka përfunduar hetimet kundër Keynes, i cili pranoi se posedonte licencën e programit të komunikimit të koduar të terroristëve të FETO-s, ByLock. Ai u akuzua për veprën penale të “anëtarësimit në një organizatë terroriste” dhe u kërkua të dënohet me 15 vjet burg.

Sipas informacioneve që ka marrë gazetari i AA-së, Prokuroria e Republikës lëshoi ​urdhër arresti për Keynes më 17 dhjetor të vitit të kaluar. Përmes avokatit të tij, Keynes dërgoi një kërkesë më 4 mars 2021, duke deklaruar se ai ishte i gatshëm të vinte në Turqi dhe të përfitonte nga marrëveshja e pranimit të fajësisë. Keynes arriti në Stamboll më 9 qershor, ku u arrestua.

Aktakuza përmend strukturën e FETO-s dhe karakteristikat e programit ByLock që anëtarët e organizatës përdorën për komunikim të fshehtë.

Gjithashtu theksohet se është vërtetuar se i dyshuari ka pasur kontakte me organizatën terroriste FETO, ka qëndruar në të ashtuquajturat shtëpi të FETO-s, ishte përgjegjës për funksione të caktuara brenda organizatës dhe u promovua në të ashtuquajturën “imamët e fshehtë” të FETO-s.

Më tej thuhet se i dyshuari madje kishte takime të drejtpërdrejta me udhëheqësin e organizatës terroriste Fetullah Gülen. Ai u dërgua në SHBA për posedim të informacioneve konfidenciale dhe me urdhër të Gülen-it. Ai mori me qira emrin e domenit “ByLock” të programit të komunikimit të koduar që do të përdoret në komunikimin e fshehtë brenda organizatës dhe transferoi të njëjtin aplikacion në Google Market dhe Apple Store.

Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për përpjekjen e grusht shtetit të mposhtur në Turqi natën e 15 korrikut 2016.

FETO është një organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen me banim në SHBA, ekstradimin e të cilit Turqia e ka kërkuar zyrtarisht nga Washingtoni.

Anëtarët e organizatës terroriste janë avancuar në shërbim për vite me radhë, duke kurdisur provimet dhe duke u infiltruar kështu në institucionet e shtetit. Pastaj, fillimisht në dhjetor 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin turk u përpoqën të ndjekin penalisht një numër zyrtarësh të lartë përmes një gjykimi të montuar për gjoja korrupsion.

Disa vjet më vonë, pasoi përpjekja e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, përpjekje për grusht shteti e kryer nga oficerët e infiltruar në ushtrinë turke nga FETO.

Hetimet në lidhje me organizatën terroriste FETO treguan se ky është një rrjet global që paraqet rrezik jo vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend tjetër në të cilin është aktiv. Zyrtarët turq e kanë theksuar këtë në disa raste. Gjatë përpjekjes për grusht shteti në Turqi, ranë 251 dëshmorë ndërsa 2.734 të tjerë u plagosën.