Turqi, partia qeverisëse zyrtarisht konteston rezultatet në Stamboll dhe Ankara

Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Turqi do të kontestojë zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve lokale në Stamboll dhe Ankara, njoftuan krerët provincialë të partisë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi zbuluar mospërputhje të konsiderueshme midis rezultateve të tabeluara me nënshkrime dhe vula, që tregon regjistrimin e parë të votës, të dhënave përfundimtare dhe numrit total të votave të dorëzuara në Këshillin e Lartë Zgjedhor (YSK)”, tha para gazetarëve Bayram Şenocak, kreu provincial i AK Partisë në Stamboll.

Şenocak tha se kanë dorëzuar dokumentet e tyre në orën 3:00 të mëngjesit sipas kohës lokale, për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të 31 marsit në 39 distrikte të Stambollit.

“Ne kemi zbuluar hile dhe parregullsi që kanë shkelur legjislacionin dhe një mjedis të drejtë zgjedhor që nga fillimi i procesit të votimit,” tha Şenocak.

Partia qeverisëse ka kontestuar edhe rezultatet e zgjedhjeve lokale në gjitha 25 distriktet e kryeqytetit Ankara, tha kryetari provincial i partisë, Hakan Han Özcan.

Özcan tha se AK Parti ka parashtruar ankesë për parregullsi në 3.217 kuti votimi.

Procesi për të parashtruar ankesë në YSK për rezultatet e zgjedhjeve të së dielës përfundoi të martën në orën 3:00 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Votuesit në Turqi shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur kandidatët për kryetarë të komunave, përfaqësues të fshatrave ose njësive të vogla administrative (Muhtar), anëtarë të këshillave komunalë, anëtarë të këshillave të përgjithshëm provinciale, si dhe anëtarë të këshillave dhe asambleve të fshatrave.

Sipas rezultateve jozyrtare, AK Parti është duke kryesuar në 15 bashki metropolitane (qytete më të mëdha) dhe 24 qytete.

Ekrem İmamoğlu, kandidat i Partisë Popullore Republikane (CHP), me 48,79 për qind të votave, ka një kryesim të ngushtë mbi kandidatin e AK Partisë Binali Yıldırım me 48,51 për qind për kryetarin e bashkisë së Stambollit.

Ndërkaq, Mansur Yavaş, kandidati për kryebashkiak të Ankarasë nga CHP, është duke kryesuar me 50,91 për qind të votave, sipas rezultateve jozyrtare, ndaj Mehmet Özhaseki të AK Partisë, i cili ka siguruar 47,1 për qind të votave.