Turqi, qentë e kërkim-shpëtimit u bënë shpresë e qindra jetëve nën rrënoja

Qentë e trajnuar posaçërisht, të cilët kishin një rol aktiv në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmeteve shkatërruese në Turqi, shpëtuan shumë jetë nën rrënoja, raporton Anadolu.

Qentë e stërvitur për shkathtësi, dëgjimin e komandave dhe arritjen e objektivit, zbulojnë me shqisat e tyre nëse ka apo jo prani jete nën rrënoja.

Këto qen kanë provuar aftësitë e tyre pasi janë përzgjedhur që të vegjël dhe kanë kaluar një provim në çdo dy vite, ndërkohë që pas trajnimit ato mund të ndërmarrin detyra të tilla deri në moshën 10-vjeçare.

Qentë e stërvitur të cilët janë përfshirë pa ndërprerë në punimet në rajon nga ekipet e kërkim-shpëtimit në rajonet e tërmetit kanë qenë ndihma më e madhe e ekipeve për përcaktimin e vendndodhjes së personave nën rrënoja.

Që nga dita e parë e tërmetit në terren janë përfshirë dhjetëra qen të stërvitur të ekipeve kryesisht të organizatave të shoqërisë civile, AFAD, Komandës Speciale të Sigurisë Publike të Xhandarmërisë (JÖAK) si dhe të Ekipeve të Kërkim Shpëtimit të Policisë turke (PAK).

Në punimet e kërkim-shpëtimit kanë ardhur në mbështetje gjithsej 181 qen me hundë të ndjeshme shpëtues të jetës, përfshirë 104 nga 21 vende anëtare të Bashkimit Evropian si dhe nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia, 4 nga Koreja e Jugut, 4 nga Venezuela, 6 nga Portugalia, 5 nga Tajlanda, 5 nga Afrika e Jugut, 10 nga Ukraina, 5 nga Tajvani, 4 nga Kina, 22 nga Hungaria, 8 nga Polonia dhe 4 nga Libia.

Gjatë detyrës u plagosën disa nga qentë, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për nxjerrjen e qindra njerëzve të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembura nga dy tërmetet me qendër në Kahramanmaraş.

Ndërsa qeni “Proteo” i ekipit të ardhur nga Meksika për mbështetje në Adıyaman, u sëmur gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe ngordhi.