Turqi-Shqipëri, ora 20:45, kuqezinj, o sot, o kurrë!

Ja ku jemi, Turqia si një udhëkryq që vendos fatin e këtyre eliminatoreve. Është një kundërshtar që në të shkuarën e afërt ofron kujtime të ëmbla dhe të hidhura për Shqipërinë. Që nga ajo miqësore e Antalias, e fituar 2-3, që niste përgatitoret për këtë fushatë dhe karikonte entuziazëm në lidhje me idetë e Panuccit, e deri te humbja 0-2 në “Loro Borici”, që i vinte kapak aventurës zhgënjyese të italianit në stolin e Kombëtares, me koret e tifozëve kuqezi kundër tij, shkruan supersport.al.

Sot drejton Edy Reja, një tjetër trajner që ka bërë pa dyshim më mirë, dy fitore dhe dy humbje dhe pa deklarata bombastike për lojën sulmuese bëri që për herë të parë të shënonim 4 gola në një ndeshje zyrtare në takimin e fundit. Një sukses që karikon optimizëm, por që merr vlera në llogaritë e kësaj fushate vetëm me një fitore ndaj Turqisë.

Mision i vështirësisë maksimale, bëhet fjalë për një skuadër solide, që në 48-mijëvendëshin “Sukru Saracoglu” do të ketë me vete dhe nxehtësinë e tifozëve të zjarrtë vendas, por për Shqipërinë nuk ka rrugë tjetër.

Do të duhet ndeshja perfekte, e luajtur me nerva çeliku dhe tempizmin e duhur, kujdes për të mos pësuar, në kërkim të godijes në befasi të kundërshtarit. Për fat, Shqipërisë i vjen në formë sulmuesi që e njeh më mirë se kushdo këtë skuadër, Sokol Çikalleshi, prej 5 vitesh në kampionatin turk, përjeton ndoshta momentin më të mirë të karrierës, 3 gola në 3 ndeshjet e fundit me Kombëtaren, 4 gola në katër ndeshjet e fundit me ekipin e tij Akhisar.

Por Shqipëria nuk ka vetëm atë, thuajse të gjithë sulmuesit vijnë me gola nga kampionatet respektive dhe shumë lojtarë me minuta në këmbë, çka rrit vetëbesimin. Kjo është nga ato ndeshje që konsiderohen të ashpra, Shqipërisë i bën punë vetëm fitorja, do të duhet një mrekulli, por në futboll, edhe pse rrallë, ato ndodhin.