Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka njoftuar se Turqia dhe Armenia ranë dakord për vazhdimin pa parakushte të negociatave që synojnë normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Punëve të Jashtme lëshoi një deklaratë me shkrim pasi Përfaqësuesi i posaçëm i Turqisë për Armeninë, ambasadori Serdar Kılıç dhe përfaqësuesi i posaçëm i Armenisë, Ruben Rubinyan, u takuan në kryeqytetin rus Moskë për të diskutuar normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministria turke njoftoi se në takimin e zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe konstruktive, përfaqësuesit e posaçem theksuan se kanë shkëmbyer pikëpamjet paraprake për procesin e normalizimit që do të realizohet përmes dialogut mes Turqisë dhe Armenisë.
“Palët ranë dakord për vazhdimin pa parakushte të negociatave që synojnë normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Vendi dhe data e takimit të dytë e përfaqësuesve të posaçëm do të përcaktohet më vonë përmes kanaleve diplomatike”, tha ministria turke.
Burimet diplomatike theksuan se takimi dypalësh në Moskë zgjati një orë e gjysmë.
– Procesi i emërimit të përfaqësuesve
Më 13 dhjetor të vitit 2021, ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në një fjalim të mbajtur në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë dha sinjalet për fillimin e një periudhe të re në marrëdhëniet Turqi-Armeni.
Më 15 dhjetor, ambasadori Kılıç u emërua si përfaqësuesi i posaçëm i Turqisë për Armeninë.
Ndërkohë edhe Armenia emëroi nënkryetarin e parlamentit, Rubinyan. si përfaqësuesin e saj të posaçëm në kuadrin e normalizimit të marrëdhënieve me Turqinë. /aa





