Turqia dhe Serbia kanë rënë dakord të thellojnë bashkëpunimin dypalësh në disa fusha, përfshirë politikën e jashtme, mbrojtjen, kulturën dhe marrëdhëniet ekonomike e tregtare, pas takimit të zhvilluar sot në Ankara midis presidentin të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të përbashkët të publikuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë, të dyja palët shprehën kënaqësi për progresin e arritur në marrëdhëniet dypalëshe në vitet e fundit, mbi bazën e Deklaratës së Përbashkët Politike për Themelimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë, të nënshkruar në vitin 2017.
Palët theksuan se mbledhjet e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë (HLCC), të mbajtura katër herë deri më tani, i kanë dhënë një dimension të ri marrëdhënieve duke përcaktuar objektiva të përbashkëta.
Deklarata theksoi se vizita u zhvillua në një periudhë kur paqëndrueshmëritë dhe pasiguritë janë shtuar në rajon dhe në botë.
“Në këtë kontekst, dy liderët patën mundësinë të rishikojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe të shkëmbejnë pikëpamje mbi zhvillimet globale”, thuhet në deklaratë.
Gjatë bisedimeve, të dyja palët shprehën kënaqësi për bashkëpunimin shumëdimensional midis dy vendeve, të bazuar në përfitime reciproke.
U ra dakord për thellimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, industrinë e mbrojtjes, kulturën, turizmin, arsimin, energjinë, transportin, lidhshmërinë, teknologjitë e avancuara, mjedisin dhe fusha të tjera.
Gjithashtu u vendos që mbledhja e ardhshme e Komisionit të Përbashkët Ekonomik Turqi-Serbi, që përbën shtyllën kryesore të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, të mbahet sa më parë.
– Tregtia dypalëshe dhe turizmi
Të dyja palët mirëpritën faktin që vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 3.5 miliardë dollarë në vitin 2025 dhe theksuan rëndësinë e ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për ta rritur këtë shifër në 5 miliardë dollarë në vitet e ardhshme.
Ato shprehën kënaqësi për rritjen e vazhdueshme të numrit të turistëve midis dy vendeve, duke thyer rekorde të reja çdo vit dhe duke kontribuar në afrimin e popujve.
Gjithashtu u vlerësua roli i kompanive turke që operojnë në sektorët e ndërtimit dhe kontraktimit në projektet infrastrukturore në Serbi, veçanërisht në fushat e transportit dhe energjisë.
Ndërkohë, u mirëpritën përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve që do të forcojnë kornizën bashkëpunuese në teknologjitë e avancuara dhe arsim. Palët gjithashtu riafirmuan gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në platformat dypalëshe dhe rajonale për forcimin e paqes dhe stabilitetit.
Turqia dhe Serbia shprehën kënaqësi për rezultatet e takimeve të para të Platformës së Paqes për Ballkanin dhe theksuan rëndësinë e ngjarjes EXPO 2027 në Beograd për zhvillimin ekonomik rajonal dhe bashkëpunimin.
Duke njohur rolin kyç të sektorit privat në rritjen e tregtisë dhe investimeve, palët ranë dakord të përshpejtojnë aktivitetet e Këshillit të Biznesit Turqi-Serbi, të themeluar në vitin 2002.
Deklarata theksoi gjithashtu vendosmërinë e të dyja vendeve për rritjen e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme.
Palët vendosën të ndërmarrin hapa për të përshpejtuar bashkëpunimin në aviacionin civil, kulturë dhe turizëm, duke theksuar se vizitat e rregullta të nivelit të lartë do të thellojnë më tej marrëdhëniet.
Gjithashtu u arrit marrëveshje që mbledhja e ardhshme e Këshillit të mbahet sa më shpejt.




