Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbesin “në koordinim të ngushtë” teksa po punojnë për zgjidhjen diplomatike të pushtimit rus të Ukrainës, tha Ministria e Jashtme e Turqisë pas bisedimeve që zhvilluan të shtunën zëvendësministrat e Jashtëm të dy shteteve.
Në deklaratën pas bisedimeve midis zëvendësministrit të Jashtëm turk, Sedat Onal, dhe nënsekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman, në Ankara, Ministra e Jashtme turke tha se aleatët “kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
“U theksua rëndësia e të qenit në koordinim të ngushtë për të menaxhuar ndikimet e shumanshme të krizës dhe për të mbështetur një zgjidhje diplomatike”, u tha në deklaratë dhe u shtua se dy zyrtarët biseduan edhe për raportet dypalëshe.
“U konfirmua vullneti i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin dypalësh përmes një dialogu të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar dhe u theksua se pavarësisht mospajtimeve të vazhdueshme për disa çështje, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një agjendë të gjerë pozitive”, u tha në deklaratë. /rel



