Turqia i jep mbështetje Kosovës në fushën e sigurisë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me homologun turk, Hakan Fidan, me të cilin diskutuan mbi partneritetin mes dy vendeve dhe ngritjen e kapaciteteve në fushën e sigurisë.

MPJD-ja ka shkruar të hënën se Gërvalla e ka falënderuar ministrin turk për mbështetjen, duke shtuar se e ka njoftuar mbi progresin e arritur “në demokratizim, liri të mediave, të drejtat e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik”.

“Partneriteti mes dy shteteve dhe mbështetja e Turqisë në ngritjen e kapaciteteve të Kosovës në fushën e sigurisë ishin gjithashtu pjesë e rëndësishme e takimit mes Ministres Gërvalla dhe homologut të saj turk, Hakan Fidan. Ministrja Gërvalla gjatë këtij takimi shprehu falënderimin ndaj Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në shumë fusha si dhe e njoftoi homologun turk mbi progresin e arritur në demokratizim, liri të mediave, të drejtat e qytetarëve, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Gërvalla një ditë më parë është takuar me deputetë gjermanë përgjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih. Ajo ka falënderuar Gjermaninë për bashkëpunimin, duke thënë se ndihma e saj është thelbësore.