Turqia kishte ofruar garancë për lirimin e ish-presidentit Thaçi

Turqia është ndër shtetet e para që ka garantuar për lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Haga, ka thënë këshilltari i presidentit turk për Ballkanin, shqiptari Sabri Demiri.

Ai ka shtuar se në rast se gjykata vendosë që Thaçi të gjykohet në liri, ish-kreu i UÇK-së do të mundë të qëndronte si mysafir në Turqi.

“Qëndrimi i Turqisë ka qenë çdo herë kundër akuzimit të liderëve të zgjedhur nga populli me zgjedhje demokratike. Mirëpo edhe pse tash nuk mund të përzihemi gjatë procesit gjyqësor, ne si Turqi kemi dërguar edhe garanci në Hagë që në qoftë se caktohet një vendim që gjyqi të vazhdojë në liri, Thaçin mund ta kemi mysafir në Turqi”, tha ai në Klan Kosova.

Ai ka shtuar se “prej tyre nuk kemi marrë përgjigje konkrete. Kjo ka qenë dy apo tre muaj pasi filloi procesi gjyqësor ndaj tij”.