Turqia nuk diskuton projektet energjetike me Izraelin pa armëpushim

Alparslan Bayraktar

Turqia nuk do të diskutojë asnjë projekt të lidhur me energjinë me Izraelin pa një armëpushim në Gaza të Palestinës pasi do të ishte mungesë respekti për vëllezërit dhe motrat e saj palestineze që po përjetojnë brutalitet të madh, tha ministri i Energjisë i Turqisë Alparslan Bayraktar.

“Në një mjedis kaq të madh brutaliteti, drame njerëzore, do të ishte mungesë respekti për njerëzimin, për vëllezërit tanë atje (në Palestinë) të flasim për ndonjë projekt”, tha të martën ministri i Energjisë dhe i Burimeve Natyrore Alparslan Bayraktar në një kanal televiziv privat.

“Pas brutalitetit dhe mizorisë së madhe të përjetuar atje, i vetmi projekt për të cilin mund të flasim tani është se si mund ta rikthejmë energjinë elektrike të Gazës sërish në këmbë”, tha ai, duke nënvizuar se jeta në rajon është ndalur pas sulmeve.

“Ne kemi dërguar gjeneratorë. Ata janë duke pritur në pikën kufitare Rafah”, shtoi ai.

“Si mund të kontribuojmë atje me termocentrale lundruese dhe termocentrale të lëvizshme, që ne i quajmë anije energjie? Ne mund t’i kthejmë ata njerëz në jetën e tyre normale. Është e pamundur të flitet për ndonjë gjë pa bërë armëpushim”.

Bayraktar theksoi se Palestina ka një vend të veçantë në zemrën e tij dhe vuri në dukje se projektet e furnizimit me energji elektrike për vendin e Lindjes së Mesme janë diskutuar gjatë negociatave me palën izraelite pas vitit 2016.

Mbi 10.000 palestinezë të vrarë

Izraeli nisi sulme ajrore dhe tokësore në Gaza pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha të martën se numri i të vdekurve nga sulmi i intensifikuar i Izraelit në Gaza që atëherë është rritur në 10.328.

Mes të vrarëve janë 4.237 fëmijë dhe 2.719 gra, tha zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra në një konferencë për shtyp.

Më shumë se 25.956 të tjerë janë plagosur si rezultat i sulmeve të forcave izraelite në Gaza, shtoi ai.

Mes numrit të madh të vdekjeve, nevojat themelore po mbarojnë gjithnjë e më shumë në Gaza pasi Izraeli vendosi një “rrethim të plotë” në enklavën që ka pothuajse të ndalur dërgesat e ndihmave humanitare tokësore.

Pak më shumë se 500 kamionë, ato që do të përbënin dërgesat e një dite para luftës, kanë mbërritur në Gaza, që nga fillimi i sulmeve të pamëshirshme të Izraelit.