Turqia përballet sot me Portugalinë

Selektori i Portugalisë, Roberto Martinez, ka shfaqur statistikat për të mbrojtur vendimin e tij për të përzgjedhur vazhdimisht Cristiano Ronaldo, pasi kapaciteti fizik i superyllit për të përballur intensitetin e Evropianit u vë në dyshim të premten.

39-vjeçari Ronaldo luajti gjithë ndeshjen për Portugalinë në fitoren 2:1 ndaj Çekisë, të martën.

Tani në radhë për Portugalinë dhe Ronaldon është ndeshja e vështirë me Turqinë, që do të zhvillohet në Dortmund, të shtunën nga ora 18:00. Turqia pritet të ketë përkrahje të madhe dhe shumë të zëshme në ndeshjen ndaj njërës prej favoriteve të Evropianit.

Nëse kalon grupin, Portugalia do të ketë ndeshje çdo katër apo pesë ditë për të arritur në finalen e Berlinit, më 14 korrik.

Martinez ka ngulur këmbë se ky orar do të jetë i përballueshëm për Ronaldon, ndërsa ka përmendur statistikat e tij në ligën e Arabisë Saudite.

“A e dini sa minuta ka luajtur Cristiano në edicionin e fundit?”, ka pyetur Martinezi kur u pyet nëse duhet të menaxhojë hapësirën e Ronaldos.

Ai më pas ka treguar se Ronaldo kishte luajtur 2649 minuta. Ronaldo ka startuar në 31 prej 34 ndeshje tek Al-Nassr.

“Nuk mendoj se ka tjetër lojtar në botë që ka luajtur në gjashtë kampionate evropiane. Ajo që është e rëndësishme të kuptojmë është se çka ofron lojtari. Për ne Cristiano sjell përvojë, raste për gol, lëvizjet në zonë, rastet në hapësirë”, ka vazhduar Martines të flasë për Ronaldon.

Sipas selektorit portugez, Ronaldo luan për atë që ofron e jo për shkak të karrierës që kishte.

“Cristiano është në përfaqësuese për shkak se e meriton të jetë”, ka thënë Martinez.

Natyrisht Portugalia ka shumë më tepër se vetëm Ronaldon. Ka plot yje të tjerë.

Martinez ka thënë se janë dukshëm në gjendje më të mirë se sa në ndeshjen ndaj Çekisë.

“Turqia do të jetë ndryshe në krahasim me Çekinë. Turqia ka një përzierje shumë të mirë të lojtarëve të talentuar dhe atyre me përvojë. Arda Guler dhe Kenan Yildiz janë lojtarë të rinj, por luajnë rol të rëndësishëm në ekip. Ata mbështeten nga lojtarë me përvojë si Hakan Çalhanoglu. Turqit kanë shumë kualitet kur e kanë topin, ndërsa trajneri ka krijuar strukturë të fortë mbrojtëse”, ka thënë Martinez.

Turqia e fitoi 3:1 ndeshjen hapëse ndaj Gjeorgjisë. Supertalenti Guler shënoi supergol, ndërsa u përkrah nga e gjithë skuadra. Përkrahja për Turqinë ishte e jashtëzakonshme edhe nga tribunat, ndërsa njëjtë pritet të jetë edhe të shtunën prej orës 18:00 në Dortmund.