Turqia pret “trajtim të drejtë” për anëtarësim në BE

Në kryeqytetin Ankara është mbajtur Takimi i Dialogut Politik mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian (BE) në nivel të drejtorëve politikë.

Takimi i Dialogut Politik Turqi-BE u mbajt pas 3 vitesh nën kryesimin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Drejtorit për Çështjet e BE-së, ambasadorit Faruk Kaymakci dhe zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, ambasadorit Sedat Onal.

Në takimin në nivel të drejtorëve politikë morën pjesë Enrique Mora, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Punëve të Jashtme të BE-së (EEAS), Maciej Popowski, Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit të BE-së, ambasadori Nikolaus Meyer-Landrut, Shefi i Delegacionit të BE-së në Turqi dhe përfaqësues të nivelit të lartë të BE-së.

Kaymakcı, në fjalën e tij hapëse, tha: “Ne jemi të lumtur që pas 3 vitesh mund të mbajmë takimin e dialogut në nivel të drejtorëve politikë Turqi-BE”.

Duke theksuar se Turqia është një “vend kyç” përsa i përket sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, sigurisë së energjisë dhe menaxhimit të migracionit të Evropës, Kaymakcı tha se ai pret “trajtim të drejtë” për anëtarësimin e Turqisë në BE dhe se procesi i reformave do të përshpejtohet me përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Punëve të Jashtme të BE-së (EEAS) Enrique Mora duke nënvizuar se Turqia është një partner i rëndësishëm i BE-së, tha: “Ne po kalojmë kohë të vështira. Rusia sulmon Ukrainën (që nga 24 shkurti) dhe ne duhet të qëndrojmë së bashku kundër kësaj situate”. /trt