Turqia reagon kundër dënimit me burg të myftiut nga rajoni Ksanthi në Greqi

Ahmet Mete

Ministria e Jashtme e Turqisë ka reaguar lidhur me dënimin me burg të myftiut nga rajoni Ksanthi në Greqi, Ahmet Mete me akuzën për “prishje të rendit publik”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim ministria dënoi dënimin me 15 muaj burg të dhënë me kusht për 3 vite për myftiun e rajonit Ksanthi, Ahmet Mete.

“Vendimi në fjalë është një manifestim tjetër i presionit ligjor dhe politikave të frikësimit ndaj myftinjve që pakica turke në Trakinë Perëndimore të Greqisë ka zgjedhur me vullnetin e tij”, thuhet në deklaratë.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka marrë shumë vendime ndaj Greqisë për shkelje, rikujtohet në deklaratën në të cilën thuhet se “Greqia, ndaj të cilës në të kaluarën janë marrë shumë vendime për shkelje nga GJEDNJ lidhur me aktivitetet e myftinjve, synon që nëpërmjet proceseve ligjore të pabaza që zhvillon kundër myftinjve të ndjekë qëllimin e saj për të penguar të lartpërmendurit që të vazhdojnë lirisht detyrat e tyre fetare dhe shoqërore”.

“Shpresojmë që ky vendim i padrejtë do të rregullohet në fazat e ardhshme të procesit ligjor. E ftojmë edhe njëherë Greqinë që t’u japë fund praktikave shtypëse që shkelin të drejtat dhe liritë themelore të pakicës turke në Trakinë Perëndimore dhe të myftinjve të zgjedhur. Do të vazhdojmë të ndjekim të drejtat e pakicës turke në Trakinë Perëndimore të cilat janë garantuar nga marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Gjykata penale me trup gjykues me një gjyqtar të vetëm në Selanik, dënoi me 15 muaj burg me kusht 3 vite myftiun Mete me akuzën për “prishje të rendit publik nëpërmjet nxitjes së përçarjes mes popullit” pasi në një fjalim në vitin 2016 në kongresin e Partisë së Miqësisë për Paqe të Barabartë (DEB) e kishte përngjasuar kreun e asaj periudhe të DEB, Mustafa Çavuşoğlu me presidentin themelues të Republikës Turke të Qipros Veriore, Rauf Denktaş. /aa