“Turqia refuzon qasjet orientaliste ndaj kontinentit Afrikan”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Parlamentit të Angolës, theksoi se vendi i tij refuzon ‘qasjet orientaliste dhe centriste perëndimore’ ndaj kontinentit Afrikan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne i përqafojmë popujt e kontinentit afrikan pa asnjë diskriminim”, theksoi presidenti Erdoğan, duke shtuar: “Ka disa që ende nuk mund t’i pranojnë arritjet e popujve afrikanë si pavarësia, liria dhe barazia”.

Duke theksuar “padrejtësitë në sistemin global”, Erdoğan edhe një herë nënvizoi se “bota është më e madhe se pesë” dhe shtoi: “Fati i njerëzimit nuk duhet të lihet në mëshirën e një grushti vendesh që fituan Luftën e Dytë Botërore”.

“Përderisa bota dhe pothuajse çdo aspekt i jetës sonë po ndryshojnë, dhe diplomacia, tregtia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare po kalojnë transformime rrënjësore, ne nuk mund të mendojmë se arkitektura e sigurisë globale do të mbetet e njëjtë”, shtoi ai.

Erdoğan të dielën arriti në Angolë, destinacioni i parë i turneut të tij katër-ditor në Afrikë, ndërsa më pas do të udhëtojë në Nigeri dhe Togo.

Ky udhëtim është domethënës pasi Turqia do të jetë nikoqire e dy ngjarjeve të rëndësishme në muajt tetor dhe dhjetor në Stamboll, respektivisht samite të ekonomisë dhe biznesit, si dhe të partneritetit midis Turqisë dhe Afrikës. /aa