Twitter përballet me një padi 250 milionë dollarëshe nga një grup studiosh muzikore

Padia akuzon Twitter se ka injoruar kërkesat e studiove muzikore për të hequr përmbajtje të cilat shkelnin të drejtat e autorit pavarësisht njoftimeve të vazhdueshme prej tyre.

Twitter po përballet me një tjetër padi në gjykatë e cila mund ti kushtojë shumë rrjetit social. Një grup studiosh muzikore kanë paditur kompaninë duke kërkuar 250 milionë dollarë dëmshpërblim për shkelje të të drejtave të autorit në platformë.

Padia thotë se përdoruesit e Twitter kanë shkelur të drejtat e autorit të artistëve në mijëra raste dhe kompania nuk ka bërë asgjë për ta ndaluar këtë praktikë.

Gjithashtu thekson se Twitter është platforma e vetme madhore e cila nuk ka marrëveshje licencimi. Sipas The New York Times, Twitter ka negociuar një marrëveshje të tillë por bisedimet kishin dështuar.

Padia akuzon Twitter se ka injoruar kërkesat e studiove muzikore për të hequr përmbajtje të cilat shkelnin të drejtat e autorit pavarësisht njoftimeve të vazhdueshme prej tyre.

Gjithashtu grupi në fjalë thotë se shumë cicërima të publikuara nga përdorues të verifikuar kanë përmbajtjet e tyre dhe Twitter refuzon të veprojë kundër llogarive të verifikuara.

“Twitter ka qëndrim preferencial duke i parë llogaritë e verifikuara me bazë të madhe ndjekësish si asete me vlerë të monetizueshme.”

Edhe pse padia thotë që shkelja e të drejtave të autorit ka qenë gjithnjë një problem në Twitter prej vitesh, gjërat janë përkeqësuar nën drejtimin e Elon Musk thuhet më tutje.