BE u dha azil mbi gjysmë milioni refugjatëve më 2017

Bashkimi Europian u ka dhënë azil mbi gjysmë milioni refugjatëve në vitin 2017, bëri të ditur Agjencia për Statistika e BE-së, Eurostat.

Shifra është për rreth një të katërtën më e vogël, krahasuar me vitin 2016.

Sipas Eurostat qytetarët sirianë kanë përbërë numrin më të madh të azilkërkuesve të suksesshëm, vitin e kaluar për t’u pasuar nga afganët dhe irakianët.

Po sipas Eurostat-it, Gjermania ka marrë numrin më të madh të azilkërkuesve, rreth 60 për qind, dhe është pasuar nga Austria dhe Suedia.

Më së paku azilkërkues kanë pranuar Republika Çeke dhe Polonia, shkruan Radio Europa e Lirë.

Migrantët nga Shqipëria dhe Kosova kanë pasur më së paku gjasa për azil vitin e kaluar.