Uji në fshatrat e Deçanit, priten rezultatet e analizave bakteriologjike

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Dafina Gexha- Bunjaku dhe zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, kanë vizituar sot Institutin Rajonal të Shëndetësisë Publike në Pejë, përfaqësuesit e Deçanit, QKMF në Deçan dhe ndërmarrjen regjionale “Hidro-Drini” në Pejë dhe Deçan.

Kjo vizitë u bë për shkak të shqetësimeve se në disa fshatra të komunës së Deçanit uji është turbulluar si pasojë e të reshurave.

Fshatrat nga të cilat një numër i vogël i qytetarëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë Carrabreg, Prilep, Llukë e ultë, Prapaqan dhe Isniq.

Zyrtarët e Institutit Rajonal të Shëndetësisë Publik enë Pejë kanë konfirmuar se janë marrë mostrat e ujit të këtyre fshatrave, ku sipas tyre në rezultatet e analizave fiziko-kimike janë brenda kufijve, porse priten edhe rezultatet e analizave bakteriologjike.

Gexha-Bunjaku dhe Arifi, thanë se Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i përgjigjet çdo rekomandimi dhe sugjerimi nga institucionet kompetente në mënyrë që situata të jetë nën kontroll dhe qytetarët të jenë të sigurt për çdo gjë.

Ata siguruan me këtë rast qytetarët e Deçanit, se nuk ka vend për shqetësim.

Vizita e sotme erdhi pasi dje Ministria e Shëndetësisë është njoftuar nga IKSHPK-ja se, me kërkesë të ujësjellësit “Hidro-Drini” në Pejë, se janë marrë mostra të ujit të pijes nga disa fshatra të Deçanit për shkak të shqetësimeve se uji është turbulluar si pasojë e të reshurave.