Ukraina paralajmëron se heqja e bllokadës në Detin e Zi është e vetmja zgjidhje për të shmangur krizën globale të ushqimit

Ukraina ka paralajmëruar se bota do të përballet me një mungesë kritike të furnizimeve me ushqime, nëse Rusia nuk heq bllokadat nga portet në Detin e Zi.

Përmirësimet në opsionet e tjera të transportit do t’i mundësonin Ukrainës që të dërgonte vetëm një pjesë të rezervave të saj totale të grurit.

Oleksandr Kubrakov, ministri i infrastrukturës i Ukrainës, tha për Financial Times se “i gjithë aktiviteti ynë nuk do të mbulonte as 20 për qind të asaj që do të mund të bënim përmes porteve të Detit të Zi”.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë po kërkojnë mënyra që vendi të arrijë të dërgojë deri në 20 milionë tonë drithë, duke pastruar kështu hapësirat e magazinimit për të korrat e reja të këtij viti. Kjo krizë kërcënon dhjetëra milionë njerëz në vendet e Lindjes së Mesme dhe në Afrikë, të cilat varen nga drithërat e Ukrainës.

Kamionët përballen me vonesa të gjata në kufirin me Poloninë dhe me Rumaninë, ndërsa dërgesat e grurit përmes hekurudhave janë të vështira, sepse trenat në BE dhe në Ukrainë qarkullojnë në shina me distanca të ndryshme. Rusia ka bombarduar vazhdimisht rrugët alternative, duke përfshirë ato që të çojnë në Rumani nëpërmjet rrugës ose hekurudhave, ku drithërat ngarkohen më pas në mauna të cilat lundrojnë nëpër Danub, deri në Detin e Zi.

BE-ja ka thjeshtuar procedurat e saj, ndërsa Ukraina po ofron garanci shtesë për maunat dhe kamionët e Europës, pasi shumica e agjencive perëndimore të sigurimit u larguan për shkak të rrezikut të luftës.

Pavarësisht nga këto përpjekje, Kubrakov tha se ato janë të pamjaftueshme. “Të gjithë po bëjnë gjithҫka që munden dhe, si rrjedhojë, sasia e eksportuar po rritet çdo muaj… në planin afatshkurtër, kjo sasi mund të shkojë deri në 30 për qind të kapacitetit eksportues të Ukrainës në Detin e Zi”, tha ai.

Rusia ka kapur pjesën më të madhe të rajoneve jugore të Ukrainës që shërbejnë për kultivimin e drithërave dhe po bën përparim në rajonin industrial të Donbasit lindor, skena me luftimet më të ashpra gjatë tre muajve të pushtimit të Ukrainës nga Putini.

Që nga fundi i shkurtit, Rusia ka sekuestruar nga 400,000 deri në 500,000 ton drithë nga territoret e pushtuara. Disa ferma në Ukrainë janë goditur nga sulmet ajrore dhe nga artileritë.

Presidenti Vladimir Putin ka fajësuar sanksionet kundër eksporteve ruse për krizën ushqimore dhe tha se Moska do ta hiqte bllokadën vetëm nëse do të hiqeshin edhe kufizimet nga Perëndimi. Të premten, ai tha në një intervistë për televizionin shtetëror: “Problemi i eksportit të grurit nga Ukraina nuk ekziston”.

Kubrakov paralajmëroi se veprimet e Rusisë rrezikonin të krijonin uri “në shkallë globale” dhe Moska po vepronte totalisht si një “vend piratësh”.

“Atyre nuk u intereson për jetët e njerëzve në Afrikë,” tha ai. “Ata po u thonë këtyre njerëzve: ‘Nuk na intereson për ju. Ne jemi të shqetësuar vetëm për sanksionet kundër nesh. Tani ju jeni pengjet tona’.”

Kubrakov tha se konvertimi i një linje të vetme hekurudhore në standardin e BE-së do të kushtonte 2-3 miliardë dollarë, me akoma më shumë investime që do të nevojiteshin për të zgjeruar kapacitetin në pikat kufitare.

Kievi ka diskutuar dërgimin e deri në 4 milionë tonë drithë në muaj nëpërmjet Bjellorusisë, e cila përdor të njëjtin standard hekurudhor, deri në një port në Lituani. Por, plani është politikisht i papëlqyeshëm, sepse udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko lejoi Rusinë që të përdorte vendin e tij si një stacion për pushtimin e Ukrainës.

Megjithëse kapaciteti eksportues përmes rrugëve të reja po rritet, diplomatët e BE-së vlerësojnë se Ukraina mund të eksportojë vetëm rreth 5 milion ton drithë deri në fund të verës, duke bërë që pjesa tjetër e të korrave të rrezikojë të prishet, si dhe duke vështirësuar ruajtjen e të korrave të këtij viti.

“Nuk ka një zgjidhje të shpejtë, për fat të keq,” tha Kubrakov. Zgjerimi i kapacitetit të magazinimit do të nënkuptonte gjithashtu investimin e miliarda dollarëve në kapanone për grurin përgjatë rrugëve të reja, shtoi ai.

Rreziku për të korrat e drithërave të Ukrainës ka zgjuar kujtime traumatike të urisë së shkaktuar në vitet 1930, kur vendi ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Fshatarëve iu morën drithërat dhe ata u izoluan në fshatrat e tyre, duke çuar në vdekjen e 4 milionë njerëzve në atë që njihet si Holodomor, ose vdekje nga uria.

Kubrakov tha se pasojat e bllokadës në Detin e Zi mund të jenë edhe më të këqija. “E kanë bërë një herë Holodomorin në vendin tonë, apo jo? Tani, ata kanë mundësinë të bëjnë një Holodomor në shkallë globale,” tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, po udhëheq një përpjekje për të zhbllokuar portet e Detit të Zi dhe për të siguruar garanci nga Rusia që nuk do të sulmojë anijet tregtare.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha këtë javë se Putin dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdoğan kishin rënë dakord të ndihmonin në heqjen e minave në portet e Ukrainës, të cilat Kievi i ka bllokuar për t’u mbrojtur kundër një sulmi nga deti.

Por, Ukraina thotë se Rusia ka qëlluar mbi disa anije mallrash dhe ka minuar rrugën detare duke bllokuar kalimin e tyre të sigurt përmes Detit të Zi, duke bërë që çdo marrëveshje e mundshme do të duhet të kushtëzohej nga garancitë e palëve të treta për sigurinë e anijeve.

Kubrakov tha se negociatat ishin “shansi i fundit i Rusisë për të shmangur në thelb fajësinë për vdekjen e miliona njerëzve në disa kontinente”. /monitor