Kievi ka thënë se po frenon sulmet nga forcat ruse që ende përpiqen të rrethojnë Bakhmutin, një qytet pothuajse i shkatërruar në lindje të Ukrainës, të cilin Moska është përpjekur ta pushtojë prej muajsh, raporton Aljazeera.
Ukraina është zotuar të mbrojë “kështjellën Bakhmut”, por është përballur me trupat ruse të vendosura për të marrë qytetin që është bërë një çmim politik ndërsa beteja zvarritet.
Shtabi i përgjithshëm ukrainas tha se “më shumë se 130 sulme të armikut” ishin zmbrapsur gjatë ditës së kaluar, duke përfshirë ato në Kupiansk, Lyman, Bakhmut dhe Avdiivka.
“Armiku vazhdon përpjekjet e tij për të rrethuar qytetin e Bakhmut,” tha ai të dielën në mëngjes.
Bakhmuti është kthyer në gërmadhë gjatë betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të pushtimit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të dielën se forcat e Kievit ishin në një betejë “të dhimbshme dhe të vështirë” në rajonin lindor të Donbasit, i cili përfshin Bakhmutin.
“Unë do të doja të bëja një nderim të veçantë për trimërinë, forcën dhe qëndrueshmërinë e ushtarëve që luftojnë në Donbas”, tha Zelenskyy në fjalimin e tij të përditshëm, duke shtuar se “kjo është një nga betejat më të rënda. E dhimbshme dhe e vështirë.”
Sergiy Cherevati, një zëdhënës i forcave ukrainase, tha të shtunën se situata ishte “e vështirë, por nën kontroll” në qytetin që ai e përshkroi si “objektiv prioritar për armikun”.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov tha për gazetën gjermane Bild am Sonntag: “Humbjet e rusëve shkojnë në 500 të vrarë dhe të plagosur çdo ditë”.
Shifrat e viktimave nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Sipas Reznikov, Bakhmuti është “një vend simbolik për rusët”, prandaj ata po bëjnë përpjekje të tilla për ta kapur atë. Megjithatë, kapja e tij nuk do të thotë asgjë për rrjedhën e mëtejshme të luftimeve në rajonin lindor të Donbasit, tha ai për. /mesazhi








