Ukrainë, mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare pasi Rusia njeh rajonet separatiste

Këshilli më i lartë i sigurisë i Ukrainës ka thirrur një takim pas njoftimit të presidenti rus, Vladimir Putin, se vendi i tij ka njohur zyrtarisht si të pavarura dy rajonet separatiste të shkëputura nga Ukraina, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne fillojmë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes”, njoftoi në rrjetet sociale presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, menjëherë pas njoftimeve të presidentit rus.

Zelensky tha se ka “diskutuar ngjarjet e orëve të fundit” me presidentin amerikan, Joe Biden, duke shtuar se po ashtu është planifikuar një “bisedë” me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Presidenti Putin ka njohur zyrtarisht rajonet Donetsk dhe Luhansk si vende të pavarura dhe ka nënshkruar marrëveshjet përkatëse me liderët e rebelëve në Kremlin.

Putin po ashtu tha se do t’i kërkojë parlamentit rus “të njohë menjëherë” marrëveshjet e nënshkruara.

Ai po ashtu i bëri thirrje Ukrainës “të ndalojë armiqësitë në rajonin Donbas”, duke theksuar se në rastin tjetër “përgjegjësia për atë që ndodhë” do të mbetet mbi autoritetet ukrainase.

Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian (BE) kanë dënuar njohjen nga Rusia të rajoneve separatiste Luhansk dhe Donetsk, duke e quajtur këtë lëvizje një “shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar”.

Në një deklaratë të përbashkët, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dënuan “në termat më të fortë të mundshëm vendimin e presidentit rus për njohjen e zonave të kontrolluara joqeveritare Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës si entitete të pavarura”. /aa