UNICEF: Fëmijët që ikin nga lufta në Ukrainë, të rrezikuar nga trafikimi

Të paktën 1.5 milionë fëmijë janë larguar nga lufta në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, me mijëra të tjerë të zhvendosur brenda vendit.

UNICEF-i ​ka paralajmëruar të shtunën se fëmijët që ikin nga shtëpitë e tyre po përballen me një kërcënim të mëtejshëm nga trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët shpesh kërkojnë të shfrytëzojnë kaosin e lëvizjeve të mëdha të popullsisë, raporton Sky News.

Analiza e fundit e kryer nga UNICEF ​​dhe Grupi i Koordinimit Ndër-Agjencior kundër Trafikimit (ICAT) zbuloi se 28% e viktimave të identifikuara të trafikimit janë fëmijë.

Megjithatë, ekspertët besojnë se fëmijët ka të ngjarë të përbëjnë një përqindje edhe më të lartë të viktimave të mundshme të trafikimit nga Ukraina. /koha