Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) tha se Sudani është bërë kriza më e madhe e zhvendosjes së brendshme në botë, me rreth 9.5 milionë njerëz të zhvendosur në 18 shtete mes gati tre viteve të konfliktit të vazhdueshëm, transmeton Anadolu.
“Për gati tre vjet, fëmijët sudanezë kanë duruar emergjencë humanitare në thellim të shkaktuar nga dhuna, zhvendosja, sëmundjet dhe uria e përhapur”, tha agjencia në një deklaratë.
UNICEF tha se vazhdon të operojë në terren me partnerë për të ofruar shërbime shpëtimtare për fëmijët dhe familjet e prekura nga kriza, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe ushqimor, qasjen në ujë të sigurt, mbështetjen psiko-sociale dhe arsimin.
Megjithatë, agjencia paralajmëroi se kriza në Sudan mbetet shumë e nën-raportuar dhe kritikisht e nën-financuar, duke kufizuar aftësinë e aktorëve humanitarë për t’iu përgjigjur nevojave në rritje.
UNICEF thekson se fëmijët po mbajnë barrën më të rëndë të konfliktit, duke përsëritur nevojën urgjente për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në të gjithë vendin.
Që nga 15 prilli 2023, ushtria sudaneze dhe Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësimet rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë. Konflikti ka vrarë mijëra njerëz.




