Universiteti “Isa Boletini” i Mitrovicës pranohet në Rrjetin Europian për Integrim Akademik

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” është pranuar në Rrjetin Europian për Integrim Akademik (ENAI).

Për pranimin e universitetit ka vendosur Bordi i Rrjetit Europian për Integrim Akademik (ENAI), që mbështetet nga programi ERASMUSPLUS dhe Unioni Europian.

Ylber Januzaj, këshilltar i rektorit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, tha se “anëtarësimi në këtë rrjet është shumë i rëndësishëm. Në këtë rrjet ndërkombëtar bëjnë pjesë universitete me renome botërore, prandaj padyshim se ky është një lajm i mirë për Universitetin tonë”.

Sipas tij, përfitimet nga ky rrjet janë të shumta si bërja pjesë e platformës bashkëpunuese të ENAI-t, e drejta e organizimit të konferencave dhe ngjarjeve të ENAI-t, e drejta e votës së Universitetit në zgjedhjen e bordit të ENAI-t dhe ndikimi i Universitetit në këtë rrjet.

Po ashtu, ai numëron si përfitim edhe përdorimin e konsulentëve, ekspertëve, mentorëve dhe folësve të ENAI-t, mandej informimin mbi mundësitë e granteve në dispozicion, prezencën në aktivitete të përbashkëta edukative dhe trajnuese, përdorimin e sistemit të vlerësimit të zhvilluar nga ENAI, shfrytëzimin e veglave të dobishme të marketingut, qasjen në burime dhe në programe trajnimi online si dhe pranimin e rregullt të lajmeve të reja mbi fushën akademike.

Januzaj thekson se “objektiva kryesore e ENAI-t është promovimi i integritetit në fushën akademike”. /ATSH/