Ballina Artikuj Urtësia e vetmisë dhe vetëdisiplina

Urtësia e vetmisë dhe vetëdisiplina

Mr.sci. Saad Riza Gashi

Njëherë e pyetën një njeri te urte qe rinte i vetmuar: Si nuk mërzitesh duke qenë gjithmonë vetëm?
Ai u përgjigj: – Kam shumë punë për të bërë: duhet të stërvit dy skifterë dhe dy shqiponja, të qetësoj dy lepuj, të edukoj një gjarpër, të motivoj një gomar dhe të zbus një luan.
– Por ne nuk shohim kafshë pranë teje. Ku janë ato?
Ai u përgjigj: – Ne i mbajmë këto kafshë brenda vetes.
Dy skifterët hidhen mbi gjithçka që shohin: mbi të mirën dhe të keqen, mbi të dobishmen dhe të dëmshmen. Duhet t’i mësoj të dallojnë të mirën nga e keqja. Këto janë sytë e mi.
Dy shqiponjat me kthetrat e tyre shqyejnë dhe shkatërrojnë gjithçka që prekin. Duhet t’i mësoj të shërbejnë dhe të ndihmojnë, jo të bëjnë dëm. Këto janë duart e mia.
Lepujt vazhdimisht kërcejnë përpara e mbrapa, duke u fshehur nga frika. Duhet t’i qetësoj dhe t’i mësoj të përballen me situata të vështira, e jo të ikin nga problemet. Këto janë këmbët e mia.
Më e vështira është të stërvitësh gjarprin! Edhe pse është i mbyllur në një kafaz të ngushtë, ai është gjithmonë gati të sulmojë këdo që i afrohet. Duhet ta disiplinoj. Ky gjarpër është gjuha ime.
Gomari, siç e dini, është shumë kokëfortë, gjithmonë i lodhur dhe nuk dëshiron ta bëjë punën e tij. Duhet ta motivoj. Ky është trupi im.
Së fundi, duhet ta zbus luanin, i cili dëshiron të jetë mbret dhe të sundojë mbi të gjithë. Është krenar, mendjemadh dhe mendon se e gjithë bota duhet të rrotullohet rreth tij. Ky luan është egoja ime.
Siç e shihni, kam shumë punë !

E përkthyer dhe përshtatur.
Mr.sci. Saad Riza Gashi