Ushtarët dhe policët e Kosovës parakalojnë në sheshet e Prishtinës

Për nder të 14 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë parakaluar sot së bashku me Policinë e Kosovës në sheshin “Nëna Tereza”, në Prishtinë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se në këtë ditë kujtohen ata që dhanë gjithçka për vendin tonë, transmeton Telegrafi.

“Jam krenare që ndodhem sot këtu në parakalimin e ushtrisë dhe Policisë. Këta djem dhe vajza, janë personfikimi më i mirë i shtetit tonë. Sot kemi arsye të festojmë, shtet i vogël por me zemër të madhe. Populli më pro-amerikan e ka rrugën e qartë. Ushtria jonë është e përgatitur profesionalisht.

Po ashtu, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një fjalim, para se të parakalonin ushtarët e FSK-së dhe policët.

Parakalimi i FSK-së dhe i Policisë është përcjellë nga qytetarë të shumtë.

14 vjetori i shpalljes së pavarësisë është shënuar me aktivitete të ndryshme, ku aktivitetet kanë filluar në ora 08:00 të mëngjesit.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputet nga gjithsej 120, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa president atë kohë ishte, Fatmir Sejdiu.